EMRI/ Të përfituara nga trafikimi i lëndëve narkotike, 54-vjeçarit i sekuestrohen pasuritë me vlerë rreth 420 mijë euro

Jul 14, 2026 | 17:15

Apartamente dhe garazh me vlerë rreth 420 000 euro i janë sekuestruar një 54-vjeçari në Tiranë, pasi është konstatuar se i ka përfituar nga trafikimi i lëndëve narkotike.

policia1

Sipas një njoftimi nga policia e Tiranës, mësohet se bëhet fjalë për shtetasin Harben, alias Arben Alla, 54 vjeç.

Hetimi vijon për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera me burime kriminale, të 54-vjeçarit ose shtetasve të lidhur me të.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “De facto”, si rezultat i hetimeve për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive me burime kriminale.

Sekuestrohen apartamente dhe garazh, me vlerë rreth 420 000 euro, të përfituara nga trafikimi i lëndëve narkotike.

Në vijim të një hetimi pasuror, me metoda speciale, kryer në bazë ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë, në kuadër të operacionit të koduar “De facto”, u ekzekutua vendimi i Gjykatës për sekuestrimin e dy apartamenteve dhe një garazhi.

Pasuritë, me vlerë tregu rreth 420 000 euro, dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale e shtetasit H(A). A., 54 vjeç, në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Hetimi vijon për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera me burime kriminale, të 54-vjeçarit ose shtetasve të lidhur me të.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

© Panorama.al

Te lidhura