Trump: Jemi më afër se kurrë paqes në Ukrainë! Patëm një bisedë shumë të mirë me udhëheqësit europianë

Dec 15, 2025 | 22:27

Donald Trump u shfaq optimist të hënën se paqja në Ukrainë është më afër se kurrë më parë, gjatë një ceremonie ndarjeje medaljesh në Zyrën Ovale. Ai bëri të ditur se vetëm një orë më herët kishte zhvilluar “një diskutim shumë të mirë” me liderët evropianë për luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.

trump-afp-xrwma

“Gjërat duket se po ecin mirë, edhe pse këtë e kemi thënë edhe më parë”, deklaroi Trump, duke theksuar se edhe liderët evropianë duan përfundimin e luftës dhe se SHBA gëzon “mbështetje të jashtëzakonshme” nga Evropa. Sipas tij, si Rusia ashtu edhe Ukraina thonë se duan fundin e konfliktit, por shpesh qëndrimet ndryshojnë, ndaj “duhet t’i sjellim të gjitha palët në të njëjtin kornizim”.

Deklaratat e Trump vijnë në një kohë kur në Berlin po zhvillohen bisedime intensive, ku raportohet për përparim, por pa një marrëveshje përfundimtare. Pala amerikane flet për dakordësi në rreth 90% të çështjeve, duke lënë jashtë më të vështirën: çështjen territoriale. Ndërkohë, Ukraina dhe vendet evropiane mbeten më të rezervuara në deklarata.

Zelensky: Negociatat për territorin janë “të dhimbshme”

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Berlin, kancelari gjerman Friedrich Merz vlerësoi rolin e Donald Trump në krijimin e një dinamike pozitive për bisedimet e paqes. “Pa Trump nuk do të kishim këtë momentum”, tha Merz, duke shtuar se ekziston shpresë për “një paqe të vërtetë” në Ukrainë. Ai përmendi gjithashtu rolin e të dërguarve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

Nga ana e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se janë zhvilluar disa raunde bisedimesh dhe se do të pasojnë të tjera. “Po punojmë vazhdimisht për paqe, por jo të gjitha pyetjet janë të lehta”, tha ai, duke pranuar se negociatat për çështjet territoriale janë veçanërisht të vështira dhe “të dhimbshme”.

Zelensky theksoi se garancitë e sigurisë janë thelbësore për çdo marrëveshje dhe se Ukraina ka nevojë për qartësi mbi këto garanci përpara se të shqyrtojë kërkesat territoriale. Ai shtoi se SHBA nuk po paraqet kërkesa territoriale, por po përcjell qëndrimet e Rusisë.

Sipas një burimi të Reuters, negociatorët amerikanë kanë këmbëngulur që Ukraina të pranojë tërheqjen e trupave nga rajoni i Donetskut, duke e konsideruar këtë çështje kyçe për Moskën. Donbasi mbetet një nga frontet kryesore të luftës, me Rusinë që kontrollon pjesë të mëdha të zonës.

Asetet ruse dhe rreziku për besueshmërinë e BE-së

Merz u shpreh gjithashtu për përdorimin e aseteve ruse të ngrira, duke lënë të kuptohet se kjo mund të jetë e vetmja zgjidhje e realizueshme në nivel të BE-së, pasi alternativa si kreditë e reja kërkojnë unanimitet dhe mund të bllokohen nga vende si Hungaria apo Sllovakia. Ai paralajmëroi se besueshmëria e BE-së është në rrezik nëse nuk arrihet një marrëveshje në samitin evropian të kësaj jave.

Deklaratë e përbashkët evropiane: “Asgjë nuk është rënë dakord, derisa të bien dakord për gjithçka”

Në një deklaratë të përbashkët, liderët evropianë të mbledhur në Berlin përshëndetën “përparimin e rëndësishëm” të arritur, por theksuan se “asgjë nuk është rënë dakord derisa të bien dakord për gjithçka”. Ata vlerësuan përpjekjet e Trump për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme dhe u zotuan të punojnë me SHBA-në dhe Ukrainën për garantimin e sovranitetit ukrainas dhe sigurisë evropiane.

Deklarata përmend nevojën për garanci të forta sigurie, mbështetje për rindërtimin ekonomik të Ukrainës, forcimin e ushtrisë ukrainase dhe krijimin e një force shumëkombëshe nën udhëheqje evropiane, e cila do të veprojë brenda territorit të Ukrainës, larg vijës së frontit.

Gjithashtu parashikohet një mekanizëm monitorimi i armëpushimit nën drejtimin e SHBA-së, si dhe paralajmërohet se kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshojnë me forcë. Çdo vendim territorial, theksohet, duhet t’i përkasë vetëm popullit të Ukrainës dhe të merret vetëm pasi të jenë siguruar garanci të forta sigurie.

Në fund, liderët evropianë i bënë thirrje Rusisë të tregojë vullnet për një paqe të qëndrueshme dhe u shprehën se do të vazhdojnë të ushtrojnë presion ndaj Moskës për ta sjellë sa më shpejt në tryezën e negociatave.

© Panorama.al

Te lidhura