Trukimet, Superiorja në monitorim

Mar 5, 2011 | 12:07

Duke filluar nga ndeshja e sotme Flamurtari-Elbasani, takimi hapës i fazës së tretë dhe e gjithë Superiorja do të jetë në monitorim të posaçëm nga Federata Shqiptare e Futbollit, por jo vetëm. Inspektorët e UEFA-s që pritet të vijnë javën tjetër do të “hapin dosjet” për takimet e përfolura, si dhe do të shikojnë edhe vijimësinë e ndeshjeve që do të luhen në javët në vazhdim, në kampionatin shqiptar të futbollit. Lajmi konfirmohet nga sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Eduard Prodani. “UEFA, siç e kemi thënë edhe më parë, është vënë në dijeni për dyshimet që kemi pasur për disa ndeshje në Superiore. Nuk di t’ju them ekzaktësisht ditën se kur do të zbarkojnë në Tiranë inspektorët e UEFA-s, por besoj se nga fundi i javës që vjen. E reja, për sot (dje) është se ata (inspektorët) nuk do të hetojnë vetëm për tri ndeshjet që u kemi kërkuar ndihmë, por edhe për takime të tjera të mëparshme, si dhe ato që do të luhen këtë javë. Në pak fjalë, gjithë Superiorja do të jetë në monitorim të vazhdueshëm”, ka pohuar Prodani. Hetimi i ndeshjeve të Superiores është konfirmuar edhe nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, në mbledhjen e së enjtes, ku i kërkuan zyrtarisht ndihmë UEFA-s për hetimin e tri sfidave: Dinamo-Skënderbeu (1-3), Flamurtari-Elbasani (4-0) dhe Shkumbini-Bylis (4-2). Inspektorët do marrin të gjitha të dhënat, duke filluar që nga federata e deri tek ato çka kanë transmetuar mediat. Do shihet procesverbali i arbitrave. Do kontrollohet mënyra e vënies së basteve, si dhe do shihet mënyra sesi këto ekipe janë shfaqur në fushën e lojës, duke bërë një parantezë me ndeshje të tjera.

Kampionati shtyn shortin e kupës

FSHF-ja ka njoftuar se shorti për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë do hidhet ditën e hënë më datë 07.03.2011, ora 11:00, në ambientet e këtij institucioni. Në short janë Tirana, Dinamo, Besa dhe Vllaznia dhe, sipas të dhënave, duhej të ishte hedhur ditën e djeshme. Por fakti se Vllaznia dhe Besa do të luajnë nesër mes tyre në kampionat, “ka detyruar” sektorin e garave që të shtyjë hedhjen e shortit, nga frika e ndonjë pazari të mundshëm. Nëse shorti do hidhej dje dhe do kishim një përballje mes Besës dhe Vllaznisë në kupë, atëherë ekzistonte mundësia edhe e ndonjë kompromisi mes këtyre për sfidën e kampionatit.

Superiore

Java 23
Sot, ora 14:00
Flamurtari–Elbasani
Nesër, ora 13:00
Vllaznia–Besa
Laçi–Kastrioti
Nesër, ora 14:00
Dinamo–Shkumbini
Pasnesër, ora 14:00
Tirana–Teuta
Pasnesër, ora 18:00
Skënderbeu–Bylis

© Panorama.al

Te lidhura