Trukimet, arrestohen 17 persona në Itali

Dec 20, 2011 | 13:47
Kristiano Doni

Ish-kapiteni i ekipit te Atalantës, Kristiano Doni dhe 16 persona të tjerë janë arrestuar në Itali lidhur me akuzat për fiksime rezultatesh në ndeshjet e futbollit. Sipas agjencisë së lajmeve ANSA, hetimet janë fokusuar në disa ndeshje të serisë A dhe asaj B. Sakaq, mësohet se futbollisti ka tentuar të largohet nga shtëpia e tij duke dalë nga një dritare dhe më pas nga garazhi i shtëpisë, por është kapur menjëherë nga policia. Por përveç tij, janë arrestuar edhe disa ishfutbollistë si Luixhi Sartor dhe Alesandro Zamperini apo lojtarë aktualë si Karlo Gervasoni i Piaçencës dhe Filipo Karobio i Specias. Ndërkohë, mediat italiane njoftojnë se organizata kriminale, e cila merrej me manipulimin e rezultateve të ndeshjeve dhe fitimeve kolosale nga vënia e basteve, duket se ka pasur si “shef” një aziatik, ose më saktë Tan Set Eng, i lindur në Singapor, më 29 prill 1964, i thirrur ndryshe “Dan”. Ai njihet si kreu i të gjithë organizatës, i cili nëpërmjet të dërguarve të tij arrinte të “blinte” futbollistë apo drejtues të ndryshëm të ekipeve, duke paracaktuar rezultatin e ndeshjeve. Ndërkohë, ai është cilësuar edhe si një mjeshtër i përdorimit të kompjuterit, ku falë kësaj aftësie ka arritur të “fshehë” për vite me radhë vënien e basteve ilegale dhe paratë e përfituara prej tyre. Emri i Danit ka dalë për herë të parë, vetëm në verën e këtij viti, kur në Finlandë u arrestua Uilson Raj, nga Singapori, i cili më pas u dënua edhe me dy vite burg për trukim të ndeshjeve në kampionatin vendës. Në dëshminë e Raj thuhet: “Kreu i të gjithë organizatës është Tan Set Eng, ose ndryshe i quajtur Dan dhe funksionon që nga viti 1994. Bastet vihen online, nga adresa të krijuara dhe administruara prej tij dhe bëhet fjalë për baste me shifra shumë të larta, ku arrinin edhe miliona euro vetëm për një ndeshje. Një herë më telefonoi dhe më dha të dhëna për ndeshjen Breshia- Bari. Më tha se do fitoja 60 mijë euro dhe ashtu doli”. Media italiane bën të ditur se Dani kishte njerëzit e tij në shumë vende të botës, ku përveç Evropës dhe Azisë, shtrihej edhe në Amerikën e Jugut, sidomos në Argjentinë e Bolivi. Por, në Europë organizata për vënien e basteve ka pasur vetëm dy degë kryesore, pikërisht në Sllovaki dhe Shqipëri.

PRESIDENTI
Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Xhankarlo Abete, ka komentuar kështu aktin e radhës së skandalit të basteve: “Kjo fazë e hetimit për bastet është një zhvillim që konfirmon disa situata që i dinë të gjithë, bëhet fjalë për një fenomen botëror, me zemër në kontinentin aziatik. Beteja ndaj fenomenit të basteve përfaqëson një prioritet për presidentin e UEFA-s, Platini”.

GATUZO
Ka dalë edhe një vëlla inekzistent i lojtarit të Milanit, Xhenaro Gatuzo, në hetimin e skandalit të basteve. Ka qenë Uilson Rei Perumal që e ka përmendur tek autoritetet finlandeze që kanë arrestuar për ndeshje të trukuara. Ai ka shtuar se është në dijeni të përfshirjes së “vëllait” të Gatuzos, i cili mbante kontaktet me Suljiç dhe Laliç (2 anëtarë të grupit të ciganëve).

TRANSFERIMI
Huat Ço Beng njihet si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të bosit të organizatës, Danit. Në fakt, ai ka një episod ku prokuroria italiane dyshon se ka dorëzuar 1 kilogram para në Itali. Ço Beng ka qenë duke udhëtuar për në Singapor dhe ka qëndruar në Milano. Por, valixhja e tij peshonte 8 kilogramë, ndërsa pas nisjes ajo peshonte 7 kilogramë.

Tentativë te Çezena-Gubio, Farina refuzon
Në një denoncim të mbrojtësit të Gubios, Simone Farina, thuhet se Alesandro Zamperini, ish-shok skuadre te të rinjtë e Romës, i ka ofruar 200 mijë euro në fund të shtatorit për të korruptuar 3 shokë të skuadrës (portierin dhe dy qendërmrbojtësit), me qëllim trupimin e rezultatit të Çezena-Gubios, ndeshje e vlefshme për Kupën e Italisë e zhvilluar
më 30 nëntor të këtij viti. Kjo është ajo çka shkruhet në urdhër-arrestin e një prej hetuesve të Kremonës, Guido Salvinit, kundrejt 17 të hetuarve. Zamperini është cilësuar si rekrutuesi i lojtarëve që duheshin korruptuar. “Farinës, ka nxjerrë në pah Salvini, Zamperini i ofronte në këmbim, përveç parave, që të ndërhynte për llogari të organizatës, duke favorizuar Gubion në ndeshjet e ardhshme në kampionat”. Në lidhje edhe me hetimin e Prokurorisë së Kremonës, klubi i Gubios bën të ditur se ka bërë denoncim për rastin në fjalë, me qëllim që të mbrojë interesat e klubit.

© Panorama.al

Te lidhura