Tropojë, grabitësit plagosin në banesë 16-vjeçarin

Dec 6, 2011 | 12:17

TROPOJE – Futen forcërisht për të grabitur dhe plagosin një familjar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje rreth orës 11:15 të mesditës, në lagjen “Dardania” të qytetit të Bajram Currit. Dy persona të maskuar dhe ende të paidentifikuar gjatë përleshjes me të zotin e shtëpisë Gëzim Gjoçaj, kanë qëlluar me mjete të forta duke plagosur më rëndë djalin e tij, Xh. Gj., 16 vjeç. Policia lokale njoftoi se i riu u plagos me mjete të forta nga grabitësit, teksa ata nisën përleshjen fizike me familjarët, ku synonin të bënin grabitjen. I plagosuri është dërguar menjëherë në spital. Sipas mjekëve të spitalit të Bajram Currit, adoleshenti ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, dy grabitësit kanë mundur që të largohen pa u identifikuar ende, megjithëse policia po punon intensivisht për t’i zbuluar dhe arrestuar ata. Nga dëshmitë e familjarëve rezulton se u grabitën në një dollap të shtëpisë 110 paund dhe 5 mijë lekë. Mësohet se 110 paund të tjerë dhe 20 mijë lekë janë lënë sipër rrobave të dollapit. Gjatë gjithë ditës ka vijuar puna e policisë dhe janë shoqëruar deri tani 10 persona si njerëz të dyshimtë, ose që mund të kenë dijeni për ngjarjen, por ende nuk ka emra konkretë për autorët. Dyshohet se autorët kanë pasur dijeni për praninë e parave në shtëpinë e familjes Gjoçaj, duke mos hezituar të kryejnë planin e grabitjes në mes të ditës dhe në mes të qytetit të Bajram Currit.                                                                    j.h

© Panorama.al

Te lidhura