Tronditet Bulqiza, plaku vret gruan me thikë

Sep 5, 2011 | 10:43
Lagjia “Minatori” në Bulqizë, ku ndodhi ngjarja

Tronditet Bulqiza nga një ngjarje e pazakontë.Burri ther me thikë bashkëshorten. Burime pranë Komisariatit të Policisë Bulqizë thanë për “Panorama” se ngjarja kriminale është regjistruar ditën e djeshme, në orët e paradites. Klithmat e gruas 70-vjeçare Vera Muça kanë ngjallur panik në lagjen “Minatori”. Vetëm pak minuta pas ngjarjes së rëndë, banorët i kanë telefonuar policisë lokale dhe menjëherë kanë mbërritur e efektivave në vendin e ngjarjes. Askush nuk ka guxuar t’i afrohet banesës së Bajram Muçës, 76 vjeç, megjithëse gruaja e tij disa herë ka bërtitur dhe ka kërkuar ndihmë. Burimet policore kanë sqaruar se në momentin që ata kanë mbërritur në banesën e çiftit Muça, kanë konstatuar se i moshuari ka tentuar të vetëvritet, kur ka parë se gruaja e tij ka ndërruar jetë për shkak të plagëve që kishte marrë në pjesë të ndryshme të trupit. Policia ka kryer arrestimin në kushtet e flagrancës për Bajram Muçën, si i dyshuari i vetëm për krimin e kryer dhe ka dërguar në morgun e spitalit trupin e viktimës, Vera Muça. Pas arrestimit nga policia, 76-vjeçari është justifikuar se bashkëshortja nuk e pyeste atë. “Disa herë gruaja ime largohej nga shtëpia. Gjente makina të ndryshme dhe largohej pa më pyetur. I kisha thënë disa herë se nuk duhet të largohej askund pa e ditur unë. Në anët tona gruaja duhet ta pyesë burrin. Tani jam bërë pishman për atë që bëra. Më mirë të kisha vrarë edhe veten dhe e mbyllnim të dy jetën. Ziheshim shumë me njëri-tjetrin, saqë kishim shqetësuar edhe komshinjtë”, mësohet të jetë shprehur Bajram Muça për oficerët e policisë gjyqësore. Mësohet se dy djemtë e çiftit të moshuar jetonin në emigracion, ndërsa vajza e tyre, ndonëse e martuar, qëndronte më shumë në shtëpinë e prindërve. Megjithatë, as ajo nuk ndodhej në banesë në momentin e krimit. Policia e ka konsideruar vrasjen për motive të dobëta, ndërsa fqinjët janë shprehur se prej kohësh çifti grindej dhe nuk kishte harmoni. Sipas tyre nuk mund të mendohet që bashkëshorti ka ketë vrarë gruan për xhelozi në këtë moshë, por ai duhet të ketë pasur çrregullime mendore ose është shqetësuar se gruaja nuk e pyeste kur shkonte te njerëzit e saj të afërm. Burri vrasës është dërguar me pranga në duar në Komisariatin e Policisë së Bulqizës, ku do të vazhdojë të merret në pyetje para se të dalë para trupit gjykues për veprën penale të vrasjes. Mesin e javës së kaluar, një tjetër krim në familje ndodhi në Shkodër, kur burri ekzekutoi nusen 18-vjeçare me një plumb në zemër.

Vetëflijimi

Punonjës të policisë, që kanë mbërritur në banesën e çiftit Muça, sqaruan se e kanë gjetur të zotin e shtëpisë me një thikë në dorë. Dukej se ai kishte tronditje të fortë për shkak të krimit që kishte kryer. Madje, sipas tyre, ai ka tentuar ta ngulë thikën edhe në trupin e tij, por është penguar nga efektivat e policisë.

 

BULQIZE/ HASAN PASHA

© Panorama.al

Te lidhura