Gjykata e Tiranës liron ish-oficerin e Operacionales, Jeton Lami, i njohur edhe si miku i “mbretit të kumarit” Ervis Marinaj, biznesmeni i zhdukur pa gjurmë prej 8 gushtit 2022 dhe në momentin e humbjes së gjurmëve njeriu i fundit që e shoqëroi ishte pikërisht efektivi.
Lami akuzohet si pjesë e grupit të vendosjes së eksplozivit ndaj një lokali në Kamëz dhe gjobës 500 mijë euro. Për dy të tjerët e arrestuar, Gjykata e Tiranës vendosi po arrest shtpëie për Florin Domin dhe arrest me burg për Flogert Mezhika. Ata dyshohen për gjobëvënie në shumën e 500 mijë eurove të pronarit të restorantit “Perla e Detit”.
Lami dyshohet se bashkë me tre persona të tjerë, shkatërroi me tritol restorantin “Perla e Detit” në Kamëz, pasi donin të shtrëngonin pronarin që tu paguante një gjobë prej 500 mijë eurosh.
Në kërkim vijon të jetë Ervis Lami, që konsiderohet dhe personazhi kyç në këtë çështje. Ervis Lami për momentin është ndër emrat më të rrezikshëm të botës së krimit, i dyshuar për atentat mafioze dhe zhdukje të disa personave.
Gjithashtu, dy kunetërit ndaj të cilëve u vendos tritoli dyshohet se mund të kenë qenë pjesë e këtij grupi kriminal, por kanë pasur konflikte mes tyre dhe mosmarrëveshje.
Burimet shtojnë se mund të ketë pasur përplasje mes anëtarëve të grupit, dhe shpërthimi në biznesin e tyre mund të ketë qenë një formë gjobëvënieje, me vlerë rreth 500 mijë euro.
Policia sqaron se nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë hedhur lëndë eksplozive në fasadën e jashtme të biznesit, duke shkaktuar dëme materiale, për shkak të mosdhënies së një shume prej 500 000 euro, të kërkuar në formë gjobëvënieje ndaj pronarit të objektit.
© Panorama.al











