“Negociata me hajdutë nuk ka!”- Aktivisti Arben Kola: Rama, Balluku dhe Saliu e dinë që ky popull është i gatshëm t’i tërheqë zvarrë dhe t’i çojë në fund të detit

Jun 19, 2026 | 19:23

Aktivisti Arben Kola në nisje të protestës së 20-të për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ka deklaruar se protestuesit nuk pranojnë negociata me klasën politike që, sipas tij, ka vjedhur dhe ka tradhtuar vendin.

Siç tha ai, politikanët shqiptarë e dinë shumë mirë se ky popull, me këtë urrejtje që ka, është i gatshëm t’i tërheqë zvarrë dhe t’i çojë në fund të detit.

Më tej, aktivisti theksoi se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, pasi atë e vendos sovrani dhe jo njerëzit nëpër studio.

Arben Kola: Edi Rama, Balluku, Erioni, Iliri, Saliu, Lulashi, Fatmir Gërdeci, Gramoz gjakpirësi e shumë e shumë të tjerë, meqë më akuzojnë sa njëri sa tjetri, e dinë shumë mirë që ky popull, me këtë urrejtje që ka, është i gatshëm t’i tërheqë zvarrë dhe t’i çojë në fund të detit.

Por ne nuk kërkojmë që t’i tërheqin zvarrë nëse ata dorëhiqen paqësisht; ne duam që drejtësia të vendoset në vend dhe drejtësia të merret me ta. Që ta kuptojnë një herë e mirë, të mos kërkojnë negociata.

Negociata me hajdutë dhe tradhtarë nuk ka. Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, atë e vendos sovrani dhe jo njerëzit nëpër studio. Sovrani sot jeni ju dhe janë ata mijëra shqiptarë që janë nisur nga mërgata për t’u bashkuar, dhe me mijëra të tjerë që kanë prerë biletat.

Deri më datë 25 do të bëhen rreth 50 mijë të ardhur nga jashtë atdheut. I ftojmë bizneset e Tiranës të na bashkohen.

© Panorama.al

Te lidhura