
Shpërthim tritoli në një qendër tregtare të sapoinauguruar në Lezhë. Ngjarja e rëndë që tronditi të gjithë qytetin, ndodhi dje rreth orës 04:00 në qendrën tregtare të “Neptun Shop”, që ndodhet në krah të bulevardit kryesor.Sipas policisë, persona ende të paidentifikuar kanë vendosur në afërsi të reklamës së dyqanit, në pjesën e sipërm të tij, lëndën plasëse. Si pasojë e shpërthimit të eksplozivit është dëmtuar pjesa e tavanit e qendrës tregtare si dhe janë shënuar dëme materiale të subjektit. Sipas ekspertëve të policisë, lënda plasëse ka qenë rreth 400 gramë, e llojit tritol. Nga forca e madhe e shpërthimit janë thyer edhe xhamat e pallatit që ndodhej përballë dyqanit, duke shkaktuar panik tek banorët. Në fakt, policia është alarmuar duke menduar fillimisht se ngjarja mund të kishte lidhje politike, për shkak se në pallatin ku u thyen xhamat nga presioni i shpërthimit, jeton deputeti i PD-së për qarkun e Lezhës, Rajmond Hoxha. Por, pas hetimit rezultoi se ngjarja nuk ishte pasojë e ndonjë incidenti elektoral dhe nuk kishte lidhje me banesën e deputetit. Sipas policisë, lënda dyshohet se është vendosur për motive konkurrence, ndërkohë që dyqani kishte vetëm 24 orë që ishte hapur. Pronarët e tij kanë ndërhyrë menjëherë për riparimin duke bërë të mundur që brenda pak orëve të rinisin punën. Policia bëri të ditur se deri tani nuk ka asnjë të dyshuar, por po vijojnë hetimet për zbulimin e autorit. N.Lleshi, një nga banorët e pallatit që ndodhej në afërsi të dyqanit ku edhe u vendos lënda plasës, u shpreh se kanë qenë në gjumë kur kanë dëgjuar shpërthimin dhe se ishin ngritur të alarmuar të gjithë banorët e pallatit. “Xhamat e dritareve të shtëpive na janë thyer plotësisht. Kemi përjetuar çaste tmerri, pasi nga tymi i krijuar fillimisht nuk po arrinim të shikonim se ku kishte ndodhur tamam shpërthimi. I gjithë pallati ishte në panik. Na u trembën edhe fëmijët”, u shpreh ai. Burime të policisë bënë të ditur se në pallat janë shënuar dëme materiale, por objektivi i këtij shpërthimi ka qenë pikërisht qendra e re. Tashmë një grup hetimi po merret me këtë dosje, nga ku po shqyrtojnë provat që kanë mundur të gjejnë në vendin e ngjarjes. Gjithashtu, janë marrë në pyetje edhe banorët, të cilët kanë mohuar të kenë vënë re persona të dyshimtë rreth vendit të ngjarjes gjatë mbrëmjes të së hënës.
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI











