Të gjitha parashikimet dhe deklarimet e ditëve të fundit të bëra nga drejtuesit kryesorë të institucioneve financiare ndërkombëtare (FMN) dhe të eurozonës, vazhdojnë të theksojnë se do të jetë një vit i zymtë për ekonominë globale dhe se vendet e eurozonës vështirë se do të mund të dalin nga recesioni dhe kriza e borxheve sovrane. Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, u shpreh se bota mund të përballet me një kolaps ekonomik të ngjashëm me “Depresionin e Madh” të viteve 1930, nëse nuk do të merren masa të menjëhershme për të përballuar krizën e eurozonës, e cila tashmë ndodhet e kërcënuar jo vetëm nga kriza e borxheve sovrane, por edhe nga kriza e pensioneve dhe përmasat që ka marrë evazioni fiskal.
EKONOMIA GLOBALE NË ZONEN E RREZIKUT
Sipas FMN, ekonomia botërore është në një zonë të thellë rreziku. Këtë e tregon edhe fakti që ky institucion prestigjioz ka ulur parashikimet për ekonominë globale në 2012-n dhe vitin e ardhshëm. Sipas vlerësimit të FMN, kuadri i përgjithshëm ekonomik është përkeqësuar. Rritja globale është kërcënuar nga intensifikimi i krizës në eurozonë, si dhe nga dobësia në vendet e tjera. Janë këto parashikimet e FMN në raportin “Ëorld Economic Outlook”. Për vendet e eurozonës, FMN parashikon një vit recesioni, me një ekonomi në rënie me 0,5% për këtë vit, ndërsa për 2013-n, rritja do të jetë e moderuar me 0,8%. Gjithsesi, në raport vlerësohen hapat e rëndësishëm të ndërmarrë nga qeveritë për luftën ndaj krizës. Sipas raportit, ekonomia e Italisë dhe Spanjës do të ndikojnë në rënien më të madhe me 2,2% dhe 1,7%. Gjithashtu, parashikon një ekonomi lineare për Gjermaninë dhe Francën për 2012-n, ndërkohë që për vitin e ardhshëm do të jetë më e lartë, respektivisht me 1,5% dhe 1%. FMN shpjegon se recesioni në eurozonë do të përcaktohet nga rritja e mëtejshme e interesave të bonove qeveritare, nga manovrat e qeverive mbi konsolidimin e llogarive publike, si dhe nga efektet mbi ekonominë reale të procesit të shkrirjes nga ana e bankave. Për këtë FMN rithekson nevojën e restaurimit të besimit dhe dhënies fund të krizës në eurozonë. Përkeqësimi i shqetësimeve ekonomike rishikon gjithë ekonominë globale, raporton FMN. Ky vit për ekonominë botërore do të reduktohet në një rritje me 3,3% të PBB dhe 3,9% për vitin e ardhshëm. Për SHBA, Instituti i Uashingtonit konfirmon parashikimet për një GDP në rritje me 1,8% për 2012 dhe një ecuri pozitive me 2,2% në vitin 2013. Një frenim i lehtë parashikohet për ekonominë kineze krahasuar me vlerësimet e mëparshme, gjithsesi të lartë me 8,2% dhe 8,8% për dyvjeçarin 2012-2013. Norma të larta rritjeje vërehen në raportin e FMN mbi 7% për Indinë dhe 3% për Brazilin dhe Rusinë.
Sipas parashikimit të fundit, ekonomia e Britanisë së Madhe do të rritet me vetëm 0.6% gjatë këtij viti, ndërsa ajo gjermane do të rritet me 0.3%, ndryshe nga sa ishte parashikuar më parë.
Edhe Franca gjithashtu pritet të ketë një rritje ekonomike shumë të dobët, me vetëm 0.2 % sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ekonomitë në rritje të tilla si ato në Europën Qendrore dhe Lindore, apo Azi, mund të preken nga kriza në eurozonë. Sipas FMN-së, një prej sfidave më të mëdha të ekonomisë europiane ishte rikthimi i besimit në tregjet financiare, ndërsa ekonomia botërore nevojitet të ndërmarrë hapa vendimtarë për të përmirësuar mjedisin financiar aktual.
Në këto kushte, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar po përgatitet të veprojë më fuqishëm në luftën kundër krizës së borxheve në eurozonë (FMN-ka deklaruar se ka nevojë për 500 deri 600 miliardë euro për këtë qëllim dhe se brenda dy vitesh mund të ketë nevojë madje për një bilion dollarë, në qoftë se ekonomia dobësohet edhe më shumë), në Bruksel intensiteti i punës në vazhdim të marrjes së masave për shpëtimin e euros dhe të eurozonës vazhdon të rritet. Presidentja e FMN-së, Christine Lagarde, ka bërë publike të martën planet ambicioze të këtij institucioni (FMN) për tejkalimin e kësaj gjendjeje, tashmë tejet të renduar, duke kërkuar angazhim dhe kontribut më të madh të vendeve në zhvillim, si Kina, India, Brazili, pasi, aktualisht, për këto qëllime, Fondi ka në dispozicion vetëm 380 miliardë dollarë.
Zhvillimet për sa i përket ekonomisë në rang global do të jenë të rëndësishme edhe për SHBA-në, ku priten parashikimet nga Rezerva Federale mbi lëvizjen e normës bazë të dollarit për muajt e ardhshëm, ku sipas analistëve pritet që kreu i saj, Bernanke, të marrë një vendim për rritjen e normës bazë të monedhës.
Ndërkohë, takimet Merkel-Sarkozi-Monti dhe përpjekjet e drejtuesve më të lartë të BE–së dhe vetë eurozonës duket se po finalizojnë në Bruksel Paktin e Stabilitetit dhe vendosjen e rregullave të reja dhe më rigoroze ndaj vendeve me borxh dhe deficit të lartë dhe po riorientojnë qëndrimin e tyre për çështjen e Greqisë.
Tashmë, marrëveshja për fondin e ri të krizës së euros, ESM, është gati. Ky fond do të jetë 500 miliardë euro. ESM do të jetë më e fortë dhe më e qëndrueshme se EFSF (fondi ombrellë i deritanishëm). Dokumenti zyrtar i Paktit të Stabilitetit të eurogrupit sanksionon vendosjen e penaliteteve (gjoba) dhe kushte më të forta për ndihmat (që do të jepen nga Fondi i Shpëtimit). Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese e BE-së do të vendosë sanksione më të forta deri në një nivel prej 0,1% të PPB, për vendet që nuk do të miratojnë ligjin për barazi të llogarive publike në kushtetutat kombëtare dhe që nuk do të korrigjojnë automatikisht bilancet për të arritur objektivat. Sipas këtij dokumenti, thuhet se gjobat që do të vilen, do të derdhen në Fondin e përhershëm të shpëtimit të shteteve.
Nga ana tjetër, e drejta për të denoncuar te gjykatësit europianë një vend të padisiplinuar, do të ushtrohet si nga Komisioni Europian ashtu edhe nga një tjetër vend i eurozonës, që ka firmosur marrëveshjen.
Ky dokument përcakton gjithashtu edhe kushtet e vendosura nga ministrat europianë të Ekonomisë dhe Financave, për të përfituar nga ndërhyrja e fondit të shpëtimit, duke filluar nga 1 marsi i 2012-s. Nga ky moment, thuhet në dokumentin zyrtar të BE-së, nisja e programeve të reja të asistencës financiare përmes mekanizmit europian të shpëtimit do të kushtëzohet nga ratifikimi i traktatit të ri (të ashtuquajturit pakti i unifikimit fiskal) nga ana e vendeve të interesuara.
Gjithashtu, në këtë takim pritej që ministrat e Financave të eurozonës të miratonin marrëveshjen vullnetare të arritur nga qeveria Greke me investitorët privatë për shkëmbimin e borxhit grek, me shpresën për ta futur Greqinë në rrugën e shpëtimit nga falimentimi i shumëpërfolur. Por nuk ndodhi kështu. Dhe…
KËRCËNIMI I PARË KRIZA E BORXHEVE SOVRANE
(GREQIA VAZHDON NË ZONËN E RREZIKUT TË FALIMENTIMIT)
U duk se Greqia (e zhytur aq thellë në borxhe), pas arritjes së marrëveshjes vullnetare të arritur mes qeverisë dhe investitorëve privatë për shkëmbimin e borxhit, po merrte kthesën e shumëpritur. Por në samitin e eurogrupit në Bruksel, ministrat e Financave të eurozonës (pas një diskutimi të nxehtë) kanë refuzuar ofertën e investitorëve privatë për këtë çështje, të paktën për momentin. Ata refuzuan që të pranojnë interes 4% për bonot e reja me maturim afatgjatë, që do jepen për investitorët në marrëveshjen që ul nga 160% në 120% të totalit të ekonomisë, borxhin publik të Greqisë. Investitorët të përfaqësuar nga Instituti për Financa Ndërkombëtare kërkuan një kupon të ri në 4% për bonot e reja.
Kjo është sa gjysma e interesit të bonove që zëvendësojnë. Ndërsa Greqia thotë se interesi duhet të jetë 3.5%. Mosmarrëveshja në këtë pikë ka ulur mundësinë për një shkëmbim vullnetar të borxhit dhe, si rezultat, jo vetëm që bllokojnë kredinë e re për Greqinë, por mund të ketë pasoja të rënda edhe për tregjet ndërkombëtare të financimit. Megjithatë Ministri grek i Financave, Evangelos Venizelos, u shpreh optimist në Bruksel për arritjen së shpejti të një marrëveshjeje: “Ne kemi marrë dritën e gjelbër nga grupi i euros për të arritur një marrëveshje me sektorin privat ditët e ardhshme”, theksoi ai.
Por, palët kanë 7 muaj që negociojnë dhe, në mungesë të një marrëveshjeje, Greqia ecën në rrugën e një falimentimi të pakontrolluar, më 20 Mars, pasi maturohet një borxh 14.5 miliardë euro.
Gjashtë janë kërkesat themelore që paraqesin krerët e Trojkës (BE, BQE, FMN), për të dhënë miratimin e tyre në lidhje me financimin e programit të shkëmbimit të bonove greke PSI dhe vendosjen e marrëveshjes për kredinë e re.
– Mbylljen e 100 institucioneve me largimin nga puna të 10.000 nëpunësve
– Prerjen (heqjen) e pagës së 13-të dhe 14-të
– Heqjen e maturiteteve
– Reduktimin e pensionit shtesë
– Ulje e kostove të punës në shërbimet DEKO dhe në banka
– Liberalizimi i plotë i profesioneve të mbyllura
Trojka synon që këto masa të votohen nga Parlamenti i sotëm grek dhe të fillojnë të zbatohen drejtpërdrejt nga qeveria aktuale.
Kështu, negociatat janë rikthyer nga e para dhe është rritur mundësia e një falimenti të pakontrolluar për Greqinë. Dhe, nëse ndodh, kriza e borxheve sovrane në eurozonë nuk do të jetë vetëm dhe thjesht një kërcënim…
KËRCËNIMI I DYTË
KRIZA E PENSIONEVE-KËRCËNIM TJETËR I MADH PËR EUROPËN
(Të dhënat tregojnë se në 19 vende të BE-së, detyrimi rezulton mbi 39 trilionë euro. Kërcënimi nga kriza e pensioneve – pesë herë më i madh se i krizës së borxheve.)
Një problem europian më i madh se kriza e borxheve, që po del në sipërfaqe dhe po kërcënon dukshëm dhe fort eurozonën, janë fondet shtetërore të pensioneve. Të dhënat nga Qendra e studimeve për kontratat e përgjithshme të pensioneve, të Universitetit Freiburg, dëshmojnë se janë rreth 39 trilionë euro detyrimet për pensionet e parashikuara për popullsinë ekzistuese të eurozonës. Sipas këtij studimi, ky detyrim llogaritet të jetë pesë herë më i madh se borxhi publik në 19 vende të BE, të marra në analizë. Vetëm për Gjermaninë, kjo shumë llogaritet rreth 7,6 trilionë euro dhe për Francën, 6,7 trilionë apo rreth 47% e totalit të detyrimeve të eurozonës, thekson raporti. Këto të dhëna janë shqetësuese duke konsideruar edhe masat e ndryshme të aplikuara për reduktimin e borxhit publik, të cilat po e mbajnë eurozonën në recesion, duke shkaktuar një rëndesë të krizës financiare në vijim. Lindjet e qëndrueshme apo në rënie, por edhe rritja e jetëgjatësisë, shtojnë presionet duke rënduar kuadrin, ku përqindja e prodhimit të destinuar për pensionet e vendosura duhet të arrijë në 14% në vitin 2060. Me plakjen e popullsisë, analistët mendojnë se rritja e moshës së daljes në pension dhe përfitimet e ulëta duhet të jenë pjesë e çdo pakete për ta mbajtur eurozonën të bashkuar. Europa ka përqindjen më të lartë të personave me moshën më të madhe mbi të 60-at, nga të gjitha vendet e tjera të botës dhe, sipas raportit të OKB, përqindja do të rritet në rreth 35% brenda vitit 2050, nga 22% që ishte në 2009-n. Edhe sipas një studimi të OECD-së, numri i personave mbi 65 vjeç në 34 vende anëtare parashikohet të shkojë në 350 milionë në 2050-n, nga 85 milionë në vitin 1970. Rritja e jetëgjatësisë në Europë po shtohet me një ritëm me pesë orë në ditë, thonë studimet. Qeveritë dhe kompanitë europiane kanë ndërmarrë masa për zvogëlim të shpenzimeve me hartuesit e politikave, duke rritur moshën e daljes në pension kryesisht për vende, si Franca, Gjermania, Greqia, Italia dhe Britania e Madhe.
Qeveritë dhe drejtuesit e pensioneve mbështeten në rritjen ekonomike për të mbrojtur premtimet e bëra. Por, nëse ekonomia në eurozonë rritet shumë ngadalë për të shtuar arkat publike dhe private, planet e daljes në pension mund të bëhen të papërballueshme. Fondet private të pensioneve janë nën presion edhe nga normat bazë të referimit të euros, të cilat janë në nivelet më të ulëta që nga dalja e euros. Norma të ulëta interesi do të thotë se planet për pensionet duhet të gjejnë më shumë burime për të arritur projektet e tyre të pagave në periudha afatgjata.
KËRCËNIMI I TRETË, EUROPA “LUFTË” KUNDËR EVAZIONIT FISKAL
(Greqia, Italia dhe Franca po marrin masa serioze ndaj këtij fenomeni)
Plaga e rëndë, nga e cila po vuajnë sot disa vende europiane të zhytura në krizën e borxheve, është evazioni fiskal, që tashmë është vënë në qendër të kontrollit të financave të vendeve anëtare. Qeveritë europiane, së fundmi, kanë zbuluar evazorët e vërtetë dhe po shqyrtojnë një seri ligjesh për t’i ndëshkuar ata. Vetëm në Greqi, pas shumë përpjekjeve nga ana e kontrollit të financave, janë zbuluar emrat konkretë të atyre, që nuk kanë publikuar asnjëherë pasuritë e tyre. Qeveria greke ka publikuar online emrat e 4152 bashkëkombësve, mes kompanive private dhe shtetërore (në të cilën përfshihet dhe lista “VIP” e 50 biznesmenëve shqiptarë) që kanë fshehur më shumë se 14,8 miliardë euro, një shifër kjo më shumë se 5% e PBB të Greqisë. Ndërkohë që investiguesit e financave italiane kanë zbuluar se në total në 2011-n janë 7500 evazorë, të cilët kanë fshehur 21 miliardë euro të ardhura, të cilat nuk janë njohur më parë nga Ministria e Financave. Edhe në rastin konkret bëhet fjalë për biznese dhe punonjës autonomë. 50 miliardë të ardhura të padeklaruara dhe 8 miliardë TVSH e papaguar. Guardia di Finanza italiane ka denoncuar 12 mijë persona gjatë hetimeve të bëra për mashtrime ndaj financave. Gjithashtu janë zbuluar edhe 11 miliardë euro të ardhura të padeklaruara jashtë territorit italian, kryesisht për zhvendosje të kapitaleve pa paguar taksën kombëtare.
Lufta kundër evazionit fiskal së fundmi është në qendër edhe të qeverisë franceze. Ministria franceze e Financave ka bërë me dije se shumë shpejt do të paraqesë një paketë sanksionesh shumë të rënda për të gjithë mashtruesit. Parisi kërkon të rinovojë ligjet për luftën ndaj evazionit, të cilat janë po ato të 30 viteve më parë. Masat e reja parashikojnë gjoba deri në 5% të shumave të fshehura. Por në draftin e ri ligjor janë parashikuar edhe sanksione penale për ata që transferojnë kapital në parajsat fiskale, në këtë rast parashikohet deri në 5 vjet burg dhe një gjobë me 37.500 euro. Por gjobat për shkelësit e ligjit fiskal mund të arrijnë edhe deri në 500 mijë euro.
PO SHQIPËRIA?
Edhe ekonomia shqiptare, tashmë e ndodhur nën ndikimin dhe presionin e krizës globale dhe veçanërisht të eurozonës, është nën kërcënimin e trefishtë, jo vetëm të krizës së borxheve, por edhe të krizës së pensioneve (buxheti i sigurimeve shoqërore) e të evazionit fiskal. Kështu që ndikimet gjatë këtij viti pritet të jenë më të mëdha. Këtë e konstaton edhe BERZH, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila në raportin e saj të fundit parashikon një rritje vetëm prej 1,2 % për Shqipërinë në vitin 2012 si pasojë të krizës në vendet e eurozonës. Sipas Peter Sanfey “…për momentin po shohim një farë intensifikimi të krizës në eurozonë dhe në muajt e ardhshëm do të ketë pasiguri dhe kjo reflektohet në parashikimin tonë për Shqipërinë dhe rajonin”. Sipas tij, Shqipëria, ashtu si vende të tjera, do të përballet me sfidat e eurozonës. Në këto kushte, rritja e masave antikrizë në menaxhimin e situatës ekonomike dhe të financave publike në vend dhe ruajtja e qëndrueshmërisë fiskale mbeten prioritet i prioriteteve.
© Panorama.al












