Tri burgime përjetë për vrasjen e 6 gardistëve

Dec 21, 2011 | 12:32

Gjykata për Krimet e Rënda deklaroi dje fajtorë të gjithë të pandehurit e akuzuar për vrasjen e 6 punonjësve të Gardës dhe plagosjen e 16 të tjerëve 14 vjet më parë, më 23 maj 1997 në Cërrik. Mëngjesin e kësaj dite, një autokolonë e përbërë nga forca të Gardës dhe të Policisë ra në një pritë të armatosur në qendër të qytezës. Pas tri vitesh gjyq për dosjen mbi “Masakrën e Cërrikut”, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Klodian Kurushi shpalli vendimin përfundimtar për nëntë të akuzuarit për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, në bashkëpunim. Në vendim, gjykata vendosi burgim përjetë për të pandehurit Meti Bozi, Roland Xhepexhiu dhe Arjan Toska. Për të pandehurit Llazar Bicja, Alban Toska dhe Entel Gashi, gjykata vendosi nga 22 vjet burg. Për të pandehurin Tomorr Buzani, gjykata vendosi 23 vjet heqje lirie, ndërsa për të pandehurin Skënder Cani, 21 vjet burg. Më i lehtë dënimi ishte vetëm për të pandehurin Bujar Buzani. Ai u dënua me 23 vjet burg, por për shkak të statusit si “i penduar i drejtësisë” u dënua përfundimisht me 8 vjet burg. Shpallja e vendimit u prit me qetësi dje nga të pandehurit. Referuar vendimit, Gjykata për Krimet e Rënda e vlerësoi të provuar faktin që nëntë të pandehurit ishin autorë të pritës së armatosur ku ra një autokolonë e Gardës së Republikës dhe forcave speciale, mëngjesin e 23 majit 1997 në Cërrik. Në fazën e paraqitjes së konkluzioneve të mbrojtjes, të gjithë të pandehurit pretenduan pafajësi para gjykatës, duke pretenduar se nuk kishin të bënin me ngjarjen për të cilën akuzoheshin. “Në analizë të provave të grumbulluara, të cilat iu nënshtruan shqyrtimit gjyqësor, rezulton e provuar se të pandehurit Llazar Bicja, Meti Bozi, Arjan Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Tomorr Buzani, Alban Toska, Bujar Buzani, Entel Gashi dhe Skënder Cani kanë marrë pjesë në ngjarjen e datës 23.05.1997 në qytetin e Cërrikut, si dhe me veprimtarinë e tyre kriminale kanë konsumuar elementet e veprave penale për të cilat janë akuzuar”, thuhej në pretencën e Prokurorisë.

Dënimet
Meti Bozi                “burg përjetë”
Arjan Toska              “burg përjetë”
Roland Xhepexhiu         “burg përjetë”
Llazar Bicja             22 vjet burg
Alban Toska              22 vjet burg
Entel Gashi              22 vjet burg
Tomorr Buzani            23 vjet burg
Skender Cani             21 vjet burg
Bujar Buzani             8 vjet

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura