Tri aksidente në Tiranë, një i vdekur një i plagosur

May 16, 2011 | 10:42

TIRANE – Tri aksidente me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e një tjetri, si dhe dëmtimin e automjeteve kanë ndodhur gjatë fundjavës, të shtunën dhe të dielën në Tiranë. Ngjarja e parë u shënua mesnatën e së shtunës në një aksident me pasojë vdekjen e një kalimtari. Përplasja fatale ndodhi në orët e para të mëngjesit tek rreth-rrotullimi i Doganës, pranë Laprakës në Tiranë. Një mashkull rreth të 50-ave, është viktima që ndodhet në morgun e kryeqytetit dhe ende nuk është identifikuar, për shkak se nuk kishte asnjë dokument me vete. Ngjarja ka ndodhur në momentin kur kalimtari i paidentifikuar po kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, duke bërë këqyrjen e vendit, por pa mundur të identifikojë viktimën. Gjithashtu, nuk është bërë i mundur as identifikimi i drejtuesit të mjetit që ka shkaktuar aksidentin, pasi dyshohet se ai nuk ka ndaluar, por ka vazhduar rrugën pa dhënë ndihmën e parë. Një tjetër aksident, që fatmirësisht nuk ka pasur pasoja të rënda, ndodhi pas mesnatës të së shtunës, në qendër të kryeqytetit. Dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën pranë kryqëzimit që lidh rrugën “Myslym Shyri” me rrugën para Ministrisë së Mbrojtjes. Një taksi tip “Benz” është përplasur me një fuoristradë tip “BMË— X5”, me targë TR 0009 M. Automjetet kanë pësuar dëmtime të rënda, ndërsa drejtuesit e mjeteve janë transportuar për të mjekuar plagët në Spitalin Ushtarak. Nga verifikimet e para të grupit hetimor rezulton se aksidenti ka ndodhur si shkak i shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, pasi semafori në atë moment ishte jashtë funksionit dhe pulsonte vetëm drita portokalli. Nga përplasja e dy automjeteve janë dëmtuar shtylla e ndriçimit dhe semafori që ndodheshin në anë të trotuarit. Aksidenti i tretë ndodhi mbrëmjen e djeshme. Një automjet i madh, maune, është përplasur me një motor tek rruga e burgut “Jordan Misja”, e njohur ndryshe edhe si 313. Policia tha mbrëmë se drejtuesi i motorit ka pësuar plagosje të rëndë, si pasojë e përplasjes më maunen.

© Panorama.al

Te lidhura