
BERAT – Tregtarët e tregut industrial nuk pranojnë të shkojnë tek ndërtesa e re e ngritur për ta, pasi sipas tyre nuk është zbatuar mirë projekti i Bankës Botërore. Pas shumë përpjekjesh dhe përplasjesh të mëdha midis Bashkisë së Beratit dhe qeverisë për fondin e ndërtimit të një tregu industrial, kjo u bë realitet. Banka Botërore dha një fond rreth 780 milionë lekë për ndërtimin e këtij tregu në periferi të qytetit. Më pas filluan ndërtimet për ngritjen e tij, me qëllim për t’u ardhur në ndihmë tregtarëve, të cilët janë strehuar prej vitesh në qendër të qytetit, në lagjen “30 vjetori”, duke bllokuar lagjen dhe ndotur atë. Sipas tregtarëve bëhet e ditur se nuk është zbatuar ashtu siç ishte projekti i ndërtimit të tregut. Njëri prej tyre, Selman Sofka, tha se Bashkia nuk e ka zbatuar projektin ashtu siç ishte. “Vendet e tregtimit janë të vogla, vetëm 2.5 metra të gjatë dhe 1.7 metra të gjerë. Ku do t’i vendosim mallrat që kemi për tregtim?”, shprehet ai. Burime nga Bashkia bëjnë të ditur se këto veprime janë bërë me qëllim që, nga 240 tregtarët që janë aktualisht, të mund të arrijnë deri në 350 veta. Madje, sipas Bashkisë, një tjetër ndihmë për tregtarët është dhe linja e autobusit Agjenci-Treg. Nga ana e tyre tregtarët refuzojnë sërish, duke e lënë në pikëpyetje të ardhmen e tregut. d.xh











