Tregjet, Basha: Etiketa standarde të çmimeve

Jan 26, 2012 | 15:39

TIRANË- Etiketa standarde të çmimeve të produkteve në gjithë tregjet e Tiranës. Deklarata është bërë nga kreu i bashkisë së kryeqytetit, Lulzim Basha, i cili ka bërë me dije se projekti ka nisur zbatimin në tregun e fruta perimeve tek ish Uzina Dinamo.

Sipas Bashës, etikat do të përmbajnë emrin e produktit, origjinën, cilësinë dhe çmimin. “Aty ku ka vullnet ka gjithmonë rrugë, ne sigurisht do të përdorim gjithmonë rrugë ligjore, do të respektojmë gjithmonë tregun dhe në shënjestrën tonë do të jenë vetëm abuzuesit e çmimeve dhe jo tregtarët, të cilët angazhohen sipas rregullave të tregut, duke marrë përsipër riskun dhe natyrisht përfitimin në aktivitetin e tyre të përditshëm”, tha Basha.

Ai ka parë sot nga afër vendosjen e etiketave të reja të çmimeve  në tregun e ish Uzinës Dinamo  të cilat do të shpërndahen në të gjithë tregjet e qytetit të Tiranës. Sipas tij, ky është “një akt transparence, sigurie dhe parashikueshmërie për konsumatorët kryeqytetas, për qytetarët që frekuentojnë këto tregje dhe blejnë ne to”.

© Panorama.al

Te lidhura