Të paktën tre persona humbën jetën dhe 13 të tjerë u plagosën nga një sulm me bombë që ndodhi sot në qytetin Taiz, në jugperëndim të Jemenit, raportoi Agjencia Gjermane e Lajmeve (dpa), duke cituar burime nga shërbimet lokale të sigurisë.
Sipas autoriteteve, një mjet shpërthyes u aktivizua pranë selisë qendrore të partisë Al Islah në Taiz, një nga qytetet më të populluara të vendit, e cila ndodhet nën kontrollin e qeverisë së njohur ndërkombëtarisht. Partia islamiste Al Islah është një nga forcat politike më të mëdha në Jemen.
Mes viktimave ka gra dhe fëmijë, ndërsa të gjithë të prekurit nga shpërthimi ishin civilë. Deri më tani, askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.
Jemeni vijon të jetë i përfshirë në një luftë civile që prej vitit 2014, kur rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, morën nën kontroll pjesë të mëdha të veriut të vendit, përfshirë edhe kryeqytetin Sana’a. Arabia Saudite dhe aleatët e saj luftojnë në krah të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht, ndërsa në jug dhe lindje të vendit, forca separatiste të mbështetura nga Emiratet e Bashkuara Arabe kontrollojnë disa territore, duke detyruar tërheqjen e forcave qeveritare.
© Panorama.al












