SARANDË– Tre persona të maskuar kanë grabitur me dhunë familjen e një çifti të moshuarish në Qafë-Gjashtë të Sarandës. Ngjarja ka ndodhur 30 minuta pas mesnate në familjen Allkushi.Sipas policise, tre të rinj, të maskuar e të armatosur, kanë thyer xhamat e një prej dritareve të banesës private dhe kanë hyrë brenda. Në banesë ndodhej Haki Allkushi, 89-vjeç me bashkëshorten, të cilët kishin pak orë që ishin shtrirë për të fjetur.
Një nga grabitësit, ka nisur të dhunojë çiftin e të moshuarve ndërsa dy të tjerët kanë filluar të kontrollojnë banesën. Pasi kanë marrë 3 milionë lekë të vjetra dhe një armë gjahu çifte, ata janë larguar nga porta kryesore e banesës duke lënë në gjakosur çiftin e të moshuarve.
Familjarë të tyre, të njoftuar nga vetë ata, kanë transportuar drejt urgjencës “Stefan Mekshi” të Sarandës, Haki Allkushin me bashkëshorten. Ai është shtruar në repartin e reanimacionit në gjendje të rëndë por jashtë rrezikut për jetën.
Dyshohet se autorët janë banorë të fshatit Gjashtë dhe ndoshta kishin kohë që e studionin banesën për ta grabitur. Për shkak se kanë qenë të maskuar, të moshuarit nuk kanë arritur t’i identifikojnë grabitësit.
Shpresa Dine
© Panorama.al











