Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, do të shpërndajë parlamentin të premten, duke i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme më 8 shkurt, të cilat ajo shpreson se do t’i përkthejnë rezultatet e forta të sondazheve publike në një shumicë të madhe në Dhomën e Ulët të Parlamentit.
Në një konferencë për shtyp në Tokio, ajo tha se ishte një vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm që do të “përcaktojë kursin e Japonisë së bashku me popullin.
Udhëheqësja e parë femër e vendit dhe kabineti i saj kanë gëzuar mbështetje të lartë publike që kur morën detyrën tetorin e kaluar. Por partia e saj mbetet prapa në sondazhe dhe ky veprim është i rrezikshëm. Këto janë zgjedhjet e dyta të përgjithshme në Japoni në po aq vite dhe do të vënë në provë oreksin për planet e saj për të rritur shpenzimet publike, ndërkohë që kostoja e jetesës është në krye të vëmendjes së votuesve.
Pasi u zgjodh kryeministre nga ligjvënësit më 21 tetor, Takaichi tani po kërkon një mandat publik në Dhomën e Përfaqësuesve, dhomën më të fuqishme në Japoni.
Që nga dita që mori detyrën, tha Takaichi, ajo ka qenë “vazhdimisht e shqetësuar se kabineti i Takaichi nuk është testuar ende në një zgjedhje ku publiku zgjedh qeverinë”.
“A është Sanae Takaichi e përshtatshme për të qenë kryeministre? Doja t’i kërkoja popullit sovran të vendoste”, tha ajo në konferencën për shtyp.
Fushata për votimin për të zgjedhur 465 deputetët e Dhomës së Ulët, të cilët shërbejnë për një mandat katërvjeçar, fillon më 27 janar.
Partia e saj Liberal Demokratike (LDP) ka qeverisur Japoninë pothuajse vazhdimisht që nga viti 1955. Aktualisht ajo ka 199 vende, përfshirë tre të mbajtura nga partnerët e saj të pavarur, në Dhomën e Përfaqësuesve, më shumë se çdo parti tjetër.
Koalicioni i LDP-së me Partinë e Inovacionit të Japonisë i jep asaj një shumicë të brishtë, me vende të mjaftueshme për të qeverisur.
© Panorama.al












