Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo vijon të ndjekë me vëmendje ecurinë e futbollistëve kuqezi edhe pas përfundimit të aventurës së tij në stolin e Shqipërisë.

Në një intervistë për median turke “Karar”, tekniku brazilian u ndal veçanërisht te Ernest Muçi, për të cilin rezervoi vlerësime maksimale, duke e cilësuar një futbollist të nivelit të Premier Ligës. Silvinjo foli edhe për konkurrencën në Kombëtaren shqiptare, cilësitë mesfushorit kuqezi dhe bindjen se ai ka potencialin për të bërë një tjetër hap të madh.
Trajneri i Trabzonsporit, Fatih Teke, e ka cilësuar Ernest Muçin një futbollist të nivelit të Premier Ligës. A ndani të njëjtin mendim?
Muçi është një lojtar shumë i mirë, me kapacitet të lartë teknik. Në të njëjtën kohë, ai ka edhe një aftësi të madhe për të shënuar gola. Po zhvillohet shumë dhe sigurisht që ka ende shumë hapësirë për t’u rritur. Për një futbollist kjo është shumë e rëndësishme. Në Kombëtare kishte shumë konkurrencë për atë pozicion, por ne ishim të bindur se ai nuk ishte vetëm një futbollist shumë i mirë, por edhe një njeri shumë i mirë. Ai ka qenë gjithmonë një nga lojtarët tanë më të rëndësishëm. Muçi mund të luajë në Premier League dhe nëse e arrin këtë, kjo do ta ndihmojë të rritet shumë në karrierën e tij. Ashtu siç ka thënë trajneri i Trabzonsporit, edhe unë mendoj se Muçi është një lojtar i nivelit të Premier League. Besoj se ai do të arrijë nivele edhe më të larta në karrierën e tij.
Ju keni punuar me Felipe Auguston që në moshë të re. A i ka përmbushur ai pritshmëritë tuaja?
Po, është e vërtetë. Kam punuar me Felipe Auguston kur ishte ende shumë i ri, por ai spikaste për forcën fizike dhe cilësinë teknike. Si shumë futbollistë të tjerë, edhe ai është zhvilluar shumë me kalimin e viteve. Tashmë mund të luajë në role të ndryshme në fushë, një cilësi që karakterizon futbollin modern. Eksperienca në futbollin turk dhe te Trabzonspori ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin e tij. Zeniti ka transferuar një lojtar të gatshëm dhe me shumë cilësi. I uroj suksese dhe besoj se do të ketë sukses edhe atje.
Keni punuar me Arsen Venger dhe Pep Guardiolën. Cili prej tyre ju ka ndikuar më shumë?
Kam pasur vërtet mundësinë të luaj në klube të mëdha dhe në kampionate të mëdha, dhe gjatë këtij procesi kam mësuar shumë. Në 10 vitet e fundit futbolli ka bërë përparime të mëdha në aspektin teknologjik, në stërvitje dhe në taktika. Për t’iu përshtatur këtij evolucioni, është e domosdoshme të vazhdojmë të punojmë dhe të përditësojmë vazhdimisht veten. Futbolli mbetet i njëjti sport, por sot luhet me një ritëm shumë më të lartë se më parë. Arsen Venger dhe Guardiola janë disa nga trajnerët me të cilët kam pasur fatin dhe kënaqësinë të punoj. Të qenit pranë tyre më ka dhënë shumë. Kam mësuar nga të dy; ata të dy duan të luajnë futboll të bukur dhe u japin përparësi lojtarëve teknikë, konkurrues dhe me aftësi të larta për të punuar në grup.
Brazili u eliminua nga Norvegjia në Kupën e Botës. Si e vlerësoni paraqitjen e ekipit të drejtuar nga Karlo Ançeloti?
Kupa e Botës është gjithmonë një turne shumë i vështirë. Brenda vetëm një muaji, të gjitha kombëtaret luajnë me një intensitet shumë të lartë, pasi ritmi i kompeticionit nuk lë vend për gabime. Fatkeqësisht, Brazili u eliminua dhe tani duhet të kalojë një proces rinovimi, diçka krejtësisht normale për një kombëtare. Ançeloti është një nga trajnerët më të mëdhenj në botë dhe jam i bindur se do të ndërtojë një Kombëtare të fortë për turnetë e ardhshëm.
Mançini me të cilin keni punuar më parë, ka drejtuar Gallatasarajin. A do të dëshironit edhe ju të drejtonit një skuadër në Turqi?
Po, është e vërtetë. Kam punuar me Roberto Mançinin tek Interi. Ai është një trajner i shkëlqyer, që pëlqen të ndërtojë skuadra me futboll cilësor. Është një fitues i lindur dhe karakteri i tij është një nga cilësitë më të mëdha si trajner. Nga viti 2016 deri në 2019 kam qenë pjesë e stafit të Kombëtares së Brazilit, ndërsa nga viti 2023 deri në 2026 drejtova Kombëtaren shqiptare. Këto eksperienca më kanë dhënë shumë dhe për këtë arsye e shoh veten si në drejtimin e një klubi, ashtu edhe të një kombëtareje. Ndihem shumë komod në të dyja rolet. Më pëlqejnë futbollistët teknikë, që e kuptojnë mirë lojën. Si trajner, objektivi im është t’i jap ekipit një identitet dhe ta udhëheq drejt suksesit. Pjesa taktike varet gjithmonë nga grupi i lojtarëve që ke në dispozicion. Gjatë periudhës që isha trajner i Kombëtares shqiptare kam ndjekur shumë ndeshje në Turqi. Është një vend që jeton me futbollin, stadiumet kanë një atmosferë fantastike dhe kampionati është shumë fizik e konkurrues. Gjithashtu, kam vënë re se ka shumë futbollistë të rinj me cilësi të larta teknike.
ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al











