Video-regjistrimi “Meta-Prifti”, e cila i kushtoi largimin nga detyra ish-zv. kryeministrit Ilir Meta, do të ekspertohet nga tre specialistë shqiptarë. Kolegji Penal që po gjykon Metën me akuzën e korrupsionit në Gjykatën e Lartë, caktoi dje emrat e ekspertëve, të cilët i përkasin fushës akademike të vendit. Nëpërmjet një vendimi të ndërmjetëm, kryesuesi i seancës, gjyqtari Ardian Dvorani, relatoi se ekspertët e përzgjedhur janë Ardian Pollo dhe Ermal Beqiri, pedagogë të informatikës, si edhe Artur Rrahami, ekspert kriminalist në një qendër shkencore. Eksperti Rrahmani zëvendësoi në ekip, ekspertin Dritan Zoto ekspert kriminalist në Qendrën Shkencore të Mbrojtjes së Individit “The Experts”, Tiranë. Ky i fundit, u përjashtua nga grupi i ekspertëve me kërkesë të palëve në proces. Përfaqësuesi i Prokurorisë pohoi para Kolegjit Penal që eksperti Zoto kishte dhënë mendimin e tij në lidhje me videon në një të përditshme, çka, sipas prokurorit, krijonte kundërshti në detyrën e tij. Në përmbajtjen e vendimit të ndërmjetëm për caktimin e ekspertëve, Kolegji arsyetonte riekspertimin e videos me argumentin se “gjatë hetimit paraprak dhe në fillim të shqyrtimit gjyqësor të çështjes, është pretenduar se regjistrimi audio-video, i realizuar nga Dritan Prifti, nuk është autentik. Mbi të janë kryer ndërhyrje audio e video, të cilat kanë alteruar imazhin dhe, njëkohësisht, përmbajtjen e bisedës, ndërkohë që cilësia audio e këtij materiali është e tillë që, në pjesë të caktuara të tij, nuk mund të dëgjohet. Për rrjedhojë, të konkludohet për përmbajtjen e plotë të asaj bisede”. Po sipas Kolegjit, ekspertët do të paraqiten në Gjykatën e Lartë në seancën gjyqësore të datës 23.09.2011, në orën 12:00, për caktimin e detyrës dhe përmbushjen e procedurave të parashikuara në ligj. Gjykata nuk pranoi dje kërkesën e prokurorit, për praninë në ekspertim edhe të ekspertit amerikan, Glen Bard, dhe as të mbrojtjes, për praninë e një eksperti italian. Po dje, Kolegji Penal nuk pranoi një kërkesë të prokurorit të çështjes, i cili pretendoi se vendimi i ndërmjetëm i mëparshëm i Gjykatës për radhën e marrjes së provave ishte në shkelje të procedurës. “Kërkojmë korrigjimin e këtij gabimi procedural. Të fillohet me pyetjen e dëshmitarëve”, tha prokurori. Ndërsa i pari në listën e dëshmitarëve të akuzës është ishministri Prifti. Nga ana e Kolegjit Penal, pretendimi i prokurorit u konsiderua si i pabazuar, duke argumentuar se një nga provat e kërkuara nga Prokuroria ishte edhe ekspertimi i videos.
EKSPERTËT
1.Ardian Pollo, shef i departamentit të Elektronikës
në universitetin “Kristal”, pedagog i lëndës Siguria
e Sistemeve Informatike, Protokollet e Transmetimit.
2.Ermal Beqiri, drejtor i Teknologjisë së Informacionit
në Rektoratin e Universitetit të Tiranës dhe pedagog
i Informatikës në universitetin “Kristal”.
3. Artur Rrahmani, ekspert kriminalist në Qendrën
Shkencore të Mbrojtjes së Individit “The Experts”,
Tiranë.
4. Dritan Zoto, ekspert kriminalist në Qendrën Shkencore
të Mbrojtjes së Individit “The Experts”, Tiranë
(eksperti u përjashtua nga ekipi i ekspertimit me
vendim të Gjykatës, për shkak të kundërshtive).
Rrëzimi i ekspertizës së Prokurorisë
Në muajin shkurt të vitit 2011, Prokuroria e Përgjithshme realizoi një ekspertim të videos së përgjuar nga Dritan Prifti me anë të një specialisti amerikan. Pas kësaj u kërkua heqja e imunitetit për ishzv. kryeministrin Ilir Meta, pasi amerikani theksoi se videoja ishte autentike. Mirëpo, ky ekspertim është rrëzuar nga Gjykata e Lartë, e cila vendosi ripërsëritjen e tij
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











