Eshtë heroi i ditës në Irlandë, pasi e kualifikoi skuadrën kombëtare të këtij vendi për në finalet e “Euro 2012”, që do të zhvillohen vitin e ardhshëm në Poloni dhe Ukrainë. Ky është trajneri i njohur italian, Xhiovani Trapatoni, më i vjetri në “aksion”, në fushën e trajningut, hiq më pak se 72 vjeç. Megjithatë, pavarësisht kësaj, Trapatoni ka pohuar me forcë se dëshiron ta drejtojë kombëtaren irlandeze deri në përfundim të Kampionatit Europian të vitit 2016, që do të mbahet në Francë. Pra, sipas kësaj llogarie të tij, ai do që të qëndrojë në krye të Irlandës edhe për fushatën eliminatore dhe kualifuikuese të Botërorit 2014, që zhvillohet në Brazil, edhe për Europianin e radhës, pas këtij që vjen vitin tjetër. Që do të thotë se Trapatoni synon të jetë duke trajnuar edhe në moshën 76 vjecare, cka do të përbnte një rekord më vete. Kujtojmë se italiani është nën kontratë me kombëtaren irlandeze të futbollit deri në korrik të vitit të ardhshëm, saktësisht deri në mbyllje të fazën finale të “Euro 2012”. Duke folur për këtë aspekt të marrëdhënies së tij me kombëtaren që drejton për momentin, Trapatoni ka nënvizuar: “Besoj se vazhdimi i kontratës me Irlandën është çështje formale. Dua të mbetem në këtë vend edhe për katër vitet e ardhshme, dhe natyrisht këtë dua ta bëj së bashku me ndihmësin tim, Marko Tardelli”.
Gjatë karrierës së tij si trajner, Trapatoni ka drejtuar mjaft skuadra, si Milani, Juventusi, Interi, Fiorentina, Benfika, Shtugarti, Salzburgu dhe kombëtarja e Italisë.
© Panorama.al












