Transparenca dhe pjesëmarrja. Dy nga tetë karakteristikat themelore të “good governance” (qeverisja e mirë). Dy përbërës aq të rëndësishëm për vetë palcën e procesit të konsolidimit të qytetarisë dhe të përgjegjshmërisë qytetare në Shqipëri. Çfarë m’i ka sjellë ndër mend transparencën dhe pjesëmarrjen? Me kënaqësi i kam parë këto dy elemente të zbatuara pa mëdyshje dhe me vendosmëri gjatë dy proceseve të rëndësishme ku kam asistuar vullnetarisht javëve të fundit, në cilësinë e lidershipit të një shoqate aktive mjedisore, por në fund të fundit dhe në atë të qytetarit aktiv të këtij qyteti: së pari, te procesi i gjatë i diskutimeve publike për buxhetin e Tiranës nga Bashkia respektive, dhe së dyti te procesi i ndryshuar i licencimit të ekspertëve të rinj mjedisorë nga ministria përkatëse.
Është e rëndësishme të ndalemi t’i vrojtojmë këto dy procese për shkak të rëndësisë që kanë në risitë tejet pozitive që sollën në thelbin e tyre: dimensionin etik. Sepse, në përgjithësi, nëse nisemi nga mënyrat tradicionale të të qeverisurit, të rrënjosura psikologjikisht në mentalitetin tonë, procese të tilla delikate si ato të transparencës dhe të pjesëmarrjes etiketohen si “të padobishme, apo të parëndësishme, apo deri edhe të bezdisshme dhe humbje kohe”. Gjithmonë sipas kësaj mënyre qeverisjeje gjykohet që ai që është i deleguar apo i zgjedhur e merr vetë përgjegjësinë e vendimmarrjes dhe nuk ka nevojë për të krijuar hapësira për pjesëmarrje të aktorëve të tjerë apo për të bërë transparencë, përtej asaj që është ngushtësisht detyrimi ligjor i pashmangshëm. Gjithmonë bazuar në këtë logjikë, administrata e Bashkisë nuk ka pse të bëjë dhjetëra e dhjetëra seanca diskutimesh me publikun dhe me aktorët specifikë të interesit në Tiranë, por mjafton që diskutimet t’i bëjë në Këshillin Bashkiak, të paraprira nja dy a tri takime publike ku të mbledhë nja dy a tri sugjerime dhe aq. Por, realiteti i takimeve të shumta me moderimin e lavdërueshëm ndërveprues personal të kryetarit të Bashkisë me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të zyrtarëve më të lartë përgjegjës në çdo takim, me angazhimin e drejtpërdrejtë të qytetarëve me prurje, sugjerime, e kërkesa si pjesë e vendimmarrjes, dhe sidomos me rezultatin që produkti final i buxhetit ndryshoi nga ai parapraku si rezultat i këtyre prurjeve publike, dëshmon jo për thjesht “respektim të detyrimit ligjor” si kusht paraprak burokratik, por për respektim të një filozofie të re, e cila i bën pjesëmarrjen dhe transparencën një kusht paraprak edhe etik. Ky i fundit është i rëndësishëm dhe i diferencon vendimmarrësit. Sepse dimensioni etik dhe moral nuk parashikohet dot në ligj. Ligjin mund ta zbatosh edhe thjesht në ngushtësinë e vet burokratike, por nëse ti i shton atij zbatimi të ngushtë të ligjit edhe përgjegjshmërinë që buron nga respekti që ke për ata që të kanë dhënë besim, atëherë i ke dhënë ligjit një dimension të ri: i ke dhënë vullnetin e mirë për ta perfeksionuar procesin që ai parashikon, duke bërë që të kalohet gradualisht nga “qeverisja” te “qeverisja e mirë” me të gjitha karakteristikat e saj: pjesëmarrjen, transparencën, orientimin drejt konsensusit, llogaridhënien, shpejtësinë e përgjigjes, efektivitetin dhe eficiencën, zbatimin e barazisë dhe të përfshirjes sociale, si dhe respektimin e sundimit të ligjit. A mund t’i kemi perfekte këto karakteristika të “qeverisjes së mirë” te ne? Vështirë ende. Prandaj ai kalim nuk është as i lehtë dhe as mund të jetë i shpejtë. Janë shumë pak vendet dhe shoqëritë që e kanë arritur plotësisht atë në tërësinë e vet, dhe ne natyrisht që nuk jemi ende ndër ta. Sepse ka të bëjë me traditën demokratike, e cila mund dhe duhet të edukohet edhe nga liderët me “mënyra të reja të zbatimit” të proceseve të vjetra të qeverisjes, apo edhe me zbatimin drejtpërdrejt të “ideve të reja” në qeverisje. Ja, pra, një mënyrë e re e zbatimit, duke përfshirë dimensionin etik, ishte ajo e diskutimeve publike të buxhetit të Tiranës. Ndërsa sa për ide të reja, një ide e re ishte ajo e procedurës së ndryshuar të licencimit të ekspertëve të mjedisit, e zbatuar nga Ministria e Mjedisit së fundi. Kjo ministri ka pasur tradicionalisht kompetencën që të japë këto licenca, dhe një prej të licencuarve shumë vite më parë është edhe shoqata mjedisore që unë aktualisht drejtoj. Por këtë proces të përzgjedhjes dhe testimit të kandidaturave këtë vit Ministria e delegoi te një institucion krejt jashtë varësisë së tij, por shumë më profesional dhe i paparagjykuar, siç është Universiteti Bujqësor i Tiranës, duke e tejkaluar me qëllim cakun burokratik që i cakton ligji dhe, pra, duke zbatuar me dimension etik parimin e “transparencës dhe të pjesëmarrjes” në qeverisje. Kjo ide novatore u cilësua si praktikë pozitive nga të gjithë ata që i morën licencat në fillim të dhjetorit vetëm pasi kaluan me sukses testimin pranë UB-së, madje u cilësua pozitive edhe nga kolegë që mund të konsiderohen si kundërshtarë të përjetshëm të politikave të atij dikasteri. Përfshirja aktive e një universiteti të rëndësishëm publik në këtë proces qeverisjeje që deri tani ka qenë në duart ekskluzivisht të Ministrisë, e kthen këtë të fundit thjesht në një hallkë formale të licencimit. Kemi të bëjmë me një delegim vullnetar të thelbit të një kompetence jo të vogël, delegim që vjen pikërisht nga dimensioni i shtuar etik i qeverisjes.
Natyrisht, lëvizja e shoqërisë sonë drejt “qeverisjes së mirë” nuk është një proces i lehtë, madje shpeshherë ai mund të jetë deri edhe i paragjykuar nga ajo pjesë e publikut që gjykon politikisht, apo nga një pjesë e publikut që shikon në çdo praktikë apo ide të re diçka për të qortuar. Por është jetike që këto qortime jo vetëm mos ta ndalojnë këtë ndryshim kaq pozitiv e të domosdoshëm, por përkundrazi, të shihen edhe ato si pjesë e zbatimit të parimit të “pjesëmarrjes” dhe të “transparencës” në qeverisje. Sepse e rëndësishme është që këtyre parimeve duhet t’u shtojmë prurje të reja, ndërkohë që konsolidojmë dhe perfeksionojmë praktikat tradicionalisht të arritura tashmë. Në këtë mënyrë duhet të lëvizim më shpejt dhe më vendosmërisht drejt “qeverisjes së mirë” duke kultivuar të gjitha anët e saj, duke i shtuar edhe një dimension të fortë etik dhe vullnetar.
* Universiteti i Tiranës
© Panorama.al












