Trajneri Hiding, gati largimi nga kombëtarja e Turqisë

Nov 16, 2011 | 11:26

Gus Hidink la të kuptohet se do të japë dorëheqjen nga pozicioni si trajner i Turqisë, pas dështimit për t’u kualifikuar në finalet e “Euro 2012”: “Kjo mund të jetë ndeshja ime e fundit,” – nënvizoi holandezi pas ndeshjes së kthimit me Kroacinë, të cilën e barazoi 0-0 në Zagreb, por kishte humbur thellë 3-0 ndeshjen e parë në Stamboll, ndaj edhe nuk u kualifikua dot për më tej. Holandezi, i cili mori drejtimin e Koresë së Jugut dhe e udhëhoqi atë drejt gjysmëfinales së Kupës së Botës në vitin 2002, ishte objekt i shumë kritikave nga shtypi turk, njësoj si edhe lojtarët e tij, pas humbjes 3-0 në shtëpi, me Kroacinë, në ndeshjen e parë të “play-off”-it. Ai nuk ishte në gjendje ta rikuperonte deficitin e Stambollit, sepse nuk shkoi dot më larg se barazimi 0-0 në Zagreb. Duke folur pas ndeshjes në Zagreb, Hidink u tha mediave: “Kjo mund të jetë loja e ime e fundit si trajner i Turqisë. Jam i lumtur për performancat e lojtarëve të rinj. Kualifikueset e “Euro 2012” kanë qenë një përvojë e madhe për ta. Lojtarët që kam zgjedhur për në kombëtare kanë luajtur me përkushtim. Edhe lojtarët në fillim të 20-tave kanë bërë shfaqje të mira. Lojtarët ishin bukur shumë në ndeshjen e kthimit me Kroacinë, por humbja shokuese në Stamboll u bë dicka e pakapërdishme për Turqinë, fatkeqësisht. Unë nuk kam asnjë keqardhje për përvojën time në Turqi, sepse kam punuar për të ardhmen e kësaj kombëtareje. Megjithatë, mendoj se kjo është ndeshja ishte e fundit për mua me këtë ekip. Ekziston një probabilitet i lartë për këtë që po them. Unë dua që të vijë dikush tjetër e ta cojë përpara projektin e nisur. Nuk kam vendosur ende për të ardhmen time, pasi është shumë herët për një fillim të ri në një ekip të ri.”
Shtypi turk njofton se Federata Turke e Futbollit do të marrë një vendim mbi të ardhmen e Hidink të enjten, por duket se holandezi e ka përfunduar mandatin e tij para kohe, pasi nuk arriti objektivin që kishte, kualifikimin e Turqisë në finalet e “Euro 2012”.
”NTVSpor”, televizion turk,  njoftoi gjithashtu se 65-vjeçari ka pasur një ceremoni lamtumire me lojtarët e tij, cka do të thotë se nuk do të kthehet më në Turqi për pjesën e mbetur të kontratës.

© Panorama.al

Te lidhura