Tragjegi në Tiranë, zjarri shkrumbon një familje

Dec 5, 2011 | 13:25

Shpërthimi i flakëve shkaktoi vdekjen e dy bashkëshortëve dhe vajzës së tyre 5-vjeçare, ndërsa vajza tjetër, vetëm dy vjeçe, është djegur thuajse 50 për qind.  Viktimat e ngjarjes, janë bashkëshortët 35-vjeçarë, Genci e Florida Spahiu dhe vajza e tyre Jona, vetëm 5 vjeçe. Mjekët nuk kanë dhënë shumë shpresa as për vajzën e mbijetuar të tragjedisë, Dean 2-vjeçare, e cila u nxor nga flakët prej efektivave të policisë. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 01:00 pas mesnatës së shtunë, duke gdhirë dita e djeshme. Viktimat ndodheshin në katin e tretë të një pallati të ri, në rrugën “Derhemi”, pak metra larg rrugës kryesore “Hoxha Tahsim”, që lidh sheshin “Avni Rustemi” me Unazën. Edhe pse viktimat banonin pranë qendrës së Tiranës, në një zonë të populluar, askush nuk mundi të shpëtojë nga vdekja familjen prej katër anëtarësh. Vajza 2 vjeçe, që sipas mjekëve është e djegur në masën 50 për qind, ka mbijetuar falë përqafimit nga i ati i cili humbi jetën sapo u nxor nga apartamenti, ndërkohë që ende mbante vajzën e vogël në krahë. Ekspertët mjekoligjorë që kanë kryer autopsinë e tre anëtarëve të familjes, thanë dje se vdekja e tyre nuk ka ardhur nga zjarri, por nga asfiksia. Sipas burimeve nga Mjekësia Ligjore, prindërit dhe vajza kanë humbur ndjenjat nga tymi dhe gazi që ishte çliruar në apartament, çka ka sjellë edhe vdekjen e tyre.
NGJARJA
Fqinjët e familjes Spahiu kanë qenë ata që dhanë alarmin në sallën operative të Policisë së Tiranës. Ata kanë parë se nga ballkoni i apartamentit në katin e tretë po dilte tym e më pas flakë. Banorët janë alarmuar, pasi tymi po shpërndahej e po hynte edhe në banesat tjera, ndaj të gjithë kanë dalë në ballkone, duke pritur të mbërrinte policia dhe zjarrfikësit. Më pas, një shpërthim i fuqishëm, i shoqëruar edhe me flakë, ka përhapur më shumë panikun, dhe forcat të shumta policie kanë mbërritur ne vendin e ngjarjes. Disa prej efektivave të Komisariatit Nr.1 kanë hyrë në apartamentin që vazhdonte të digjej dhe kanë nxjerrë fillimisht trupat gati të karbonizuar të nënës, Floridës dhe vajzës 5-vjeçare Jona. Nënë e bijë janë gjetur në tualetin e apartamentit dhe sipas burimeve nga Policia, asnjëra prej tyre nuk kishte shenja jete, pasi ishin të djegura pothuajse tërësisht. Ndërsa babai, Genci, me vajzën 2 vjeçe, Dean, janë nxjerrë nga apartamenti pas mbërritjes së zjarrfikëses, që ka bërë të mundur shuarjen e zjarrit. Dy pjesëtarët e tjerë të familjes janë gjetur në dhomën e gjumit dhe pasi i kanë zbritur në hollin e pallatit, 35-vjeçari Genci Spahiu ka ndërruar jetë, ndërsa vajza është transportuar me urgjencë në spitalin “Nënë Tereza”.

DESHMITARI
“Kërkuan ndihmë nga ballkoni, zjarrfikësja erdhi me vonesë”

Artani, kushëriri i Genci Spahiut, ndër të parët që pa zjarrin nga ballkoni i pallatit përballë ku banon, falënderon policinë për mbërritjen në kohë, por edhe i justifikon efektivat blu për pamundësinë e ndërhyrjes. Ai tregon momentet e para kur është futur në apartamentin e kushëririt të tij, bashkë me forcat e policisë dhe kanë nxjerrë nga aty viktimat e para nënë e bijë. Ai tregon se si i afërmi i tij Genci dhe vajza 2 vjeçe, që ndodhet në gjendje të rëndë në spital, janë nxjerrë pas ndërhyrjes së zjarrfikëses. Pavarësisht se është mundur që të ndihmojë të marrë frymë të afërmin e tij, duke tentuar frymëmarrjen artificiale në hollin e pallatit, ai ka ndërruar jetë pa arritur të thotë asnjë fjalë në duart e kushëririt të vet.
Si e morët vesh që kishte rënë zjarr në shtëpinë e kushëririt tuaj?
Kam dëgjuar nga ballkoni të thirrurat për ndihmë dhe kam dalë menjëherë për të parë se çfarë kishte ndodhur. Pashë që dilte tym i zi nga ballkoni i shtëpisë së Gencit, në katin e tretë, por nuk dalloja dot mirë se kush ishte duke thirrur për ndihmë. Menjëherë kam telefonuar tek numri 129. Dhe menjëherë pas telefonatës ndodhi shpërthimi. Një makinë policie erdhi në minutat e para të ngjarjes e pas tyre edhe dhjetëra makina të tjera. Mund të them që ishin pothuajse 70 policë tek pallati dhe i falënderoj për punën dhe guximin e disave prej tyre për t’u futur brenda. Nuk mund të prisnim më gjatë që të vinte zjarrfikësja dhe rrezikuan vetë forcat e policisë për të thyer derën e apartamentit që të nxirrnin të afërmit e mi. Unë isha me ta dhe e pashë që në atë moment nuk mund të bëhej më shumë.
Arrite të futeshe brenda të shihje çfarë kishte ndodhur?
Disa policë hynë brenda dhe unë u afrova deri në korridor. Pashë kur po nxirrnin nga tualeti Floridën dhe vajzën 5 vjeçe, Jonën. Por ato kishin ndërruar jetë dhe ishin thuajse të karbonizuara. Ishte një tragjedi. Siç duket, Florida kishte tentuar të dilte kur ka ndier erën e gazit dhe tymin që kishte mbushur apartamentin. E kanë pasur të pamundur të dalin, pasi dera e jashtme e apartamentit ishte bllokuar. Mbase shpërthimi i fuqishëm e ka shtyrë në tualet. Nuk di çfarë t’ju them rreth kësaj, se si mund të ketë ndodhur.
Po i afërmi juaj dhe vajza e vogël që ka mbijetuar?
Policia nuk mund të bënte më shumë se aq. Ishte me rrezik të futeshin të tjerë njerëz brenda. Zjarrfikësja erdhi pothuajse 30 minuta pasi kishim lajmëruar në polici. Dhe pasi u shua zjarri, arritën të nxjerrin edhe Gencin, i cili u gjet tek dhoma e gjumit dhe mbante të përqafuar vajzën e vogël, Dea, sikur donte ta shpëtonte. Dhe në fakt, arriti ta shpëtojë, pavarësisht se ajo po lufton me vdekjen në spital. Genci, edhe pse ishte i djegur, ende nuk kishte ndërruar jetë kur e zbritën në hollin e pallatit. Aty iu afrova dhe tentova ta shtypja në gjoks e të filloja frymëmarrjen artificiale, por ishte e panevojshme, ai ndërroi jetë për pak sekonda.

Banorët: Dëgjuam thirrjet e vajzës për ndihmë
gjarja e rëndë që shkaktoi vdekjen e tre anëtarëve të një familje ka shokuar banorët e pallatit dhe të zonës përreth vendit ku ndodhi tragjedia. Banorët e pallatit, ata që edhe u bënë dëshmitarë të tragjedisë në familjen e Genci Spahiut, janë të tronditur për vdekjen e çiftit të ri dhe vajzës vetëm 5 vjeçe, si dhe luten që vajza e vogël, që ndodhet në spital, të mbijetojë. Fqinjët pohojnë se kanë dëgjuar Floridën të bërtiste e të thyente xhamat e ballkonit, ndërsa kanë dëgjuar edhe vajzën e vogël duke qarë. “Ajo që ndodhi ishte një tragjedi. Një pakujdesi e vogël mund të kthehet në një ngjarje të tillë që u mori jetën çiftit të ri dhe vajzës 5 vjeçe. Nuk mund të kemi siguri për asnjë çast, kur shikojmë se çfarë ndodh çdo ditë”, tregon një prej banoreve të pallatit. Ndërsa një tjetër shprehet se: “Sa isha shtrirë për të fjetur. Unë banoj në të njëjtin kat me familjen Spahiu dhe po ndieja një erë tymi në shtëpi. Dal në korridor dhe shoh që tymi hynte poshtë derës. Kur hap derën që të shoh se çfarë kishte ndodhur, dëgjova Floridën që kërkonte ndihmë, vajzën e vogël që qante dhe zhurmën e xhamave që thyheshin”, shprehet fqinja. Më pas, ajo tregon se ka telefonuar në sallën operative të Policisë së Tiranës për të lajmëruar se çfarë kishte ndodhur. Madje, sipas saj, ajo nuk ka qenë e vetmja që ka lajmëruar policinë, pasi në momentin kur të gjithë banorët kanë dalë jashtë, pothuajse të gjithë kishin telefonuar në numrin 129. “Vajza e vogël ishte shumë e dhënë mbas të atit. Ajo rrinte përherë me të, madje nëna e saj tregonte se dëshironte që herë pas herë të flinte me të atin”, tregon një shoqe e Floridës.

Familja jetonte me qira
Apartamenti që u përfshi nga flakët, ku mbetën të vdekur 3 anëtarët e një familjeje, ishte marrë me qira nga kryefamiljari Genci Spahiu rreth 3 muaj më parë. Familja jetonte në një dhomë e kuzhinë, në një sipërfaqe më pak se 60 metra katrorë. Dhoma e gjumit, ku flinin çifti dhe dy vajzat, nuk kishte as një dritare të vogël, që mund të shërbente për qarkullimin e ajrit, në këtë rast edhe të gazit që shkaktoi asfiksimin e tyre. I vetmi që punonte në familje ishte Genci, i cili pranë pallatit dhe shtëpisë së prindërve, që i ndan një rrugë, kishte hapur një ofiçinë, pasi ishte kthyer nga Gjermania, ku kishte punuar si emigrant për disa vite. Deri para pak kohësh, ata jetonin bashkë me prindërit e Gencit, në një shtëpi përdhese te rruga “Hoxha Tahsin”, pranë pallatit ku ndodhi ngjarja.

Prindërit hapin dyert e mortit
pranë pallatit ku ndodhi ngjarja, aty ku para dy muajsh kishte jetuar edhe familja e të birit, dje kishin hapur dyert e mortit. Njerëz të veshur me të zeza lëvizin sa tek shtëpia përdhese, sa tek pallati ku banonte Genci. Ndërsa të tjerë qëndrojnë për minuta të tërë në këmbë, duke parë tri lajmërime vdekjeje të vendosura në murin e shtëpisë që është në zi. Ndërsa disa të tjerë ndodhen në spitalin “Nënë Tereza” dhe informojnë të afërmit për shëndetin e vajzës 2 vjeçe, që ndodhet ende në gjendje të rëndë. Vëllai i Gencit mbërriti dje në orën 16:00 në Rinas, pasi jeton në Gjermani prej vitesh.

Ekspertiza: Shkak, kondicioneri e bombola
Ekspertët e policisë dhe të zjarrfikëseve kanë përcaktuar paraprakisht shkaqet e zjarrit tragjik. Sipas burimeve nga grupi hetimor, ende nuk janë përcaktuar saktë shkaqet e zjarrit tragjik, por sipas ekspertizës paraprake, kanë qenë dy elemente që kanë shkaktuar flakët e më pas edhe një shpërthim të fuqishëm. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur nga një shkëndijë elektrike e kondicionerit të harruar ndezur dhe nga rrjedhja e gazit të bombolës së kuzhinës.
Etleva DELIA

© Panorama.al

Te lidhura