Një tragjedi është shënuar pranë aeroportit të Nansisë, në Francë, ku një avion i përdorur për fluturime me parashutistë është rrëzuar, duke shkaktuar deri tani 11 viktima.
Numri i viktimave është konfirmuar nga prefekti i Meurthe-et-Moselle, Yves Seguy. Sipas raportimeve të mediave franceze, mes të vdekurve janë pesë instruktorë parashutizmi, pesë kursantë dhe piloti me përvojë i avionit.
Mediat franceze bëjnë të ditur gjithashtu se tre persona kanë tentuar të hidhen nga avioni me parashutë përpara se ai të përplasej në tokë.
Avioni i aksidentuar ishte një Pilatus me regjistrim gjerman, një model që përdoret tradicionalisht për fluturime dhe hedhje me parashutë.
Sipas informacioneve paraprake, avioni transportonte një grup personash që po merrnin pjesë në një fluturim njohës me sportin e parashutizmit.
Në vendngjarje ka mbërritur edhe presidenti i Këshillit të Urdhrit të Infermierëve të Pavarur të zonës 54, Thierry Pechey. Sipas mediave franceze, viktimat mund të kenë qenë infermierë të pavarur nga Nansia, të cilët kishin marrë pjesë në një fluturim njohës për të provuar hedhjen me parashutë.
Megjithatë, prefekti i Meurthe-et-Moselle nuk e ka konfirmuar zyrtarisht se viktimat ishin infermierë.
Autoritetet ndodhen në vendin e ngjarjes, ndërsa priten më shumë detaje për shkaqet e aksidentit. Ndërkohë, ministri i Brendshëm i Francës pritet të shkojë në zonën ku ndodhi tragjedia.
© Panorama.al












