Trafikonin të mitura, pranga dy të dënuarve nga Gjykata e Milanos

Sep 10, 2011 | 12:21

FIER – Policia e Fierit arrestoi dje dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar për pjesëmarrje në organizata kriminale. Burime nga Policia bënë të ditur se shtetasit e arrestuar janë Ilia Beci, 46 vjeç dhe Lefter Aliu, 56 vjeç. Ata ishin dënuar në mungesë nga Gjykata e Milanos me 12 vjet heqje lirie, për veprat penale të “trafikimit të qenieve njerëzore, trafikimit të të miturve dhe pjesëmarrje në organizata kriminale”. “Të dy shtetasit e arrestuar, në vitet 1997-1998 trafikonin vajza minorene nga Shqipëria drejt Italisë dhe aty më pas i shfrytëzonin për prostitucion”, bënë të ditur burime të Policisë. Dy vjet më parë, një vajzë e trafikuar prej tyre ka bërë denoncim në Itali. Vajza me inicialet M. A. ka rrëfyer për palën italiane se njëri prej djemve e kishte mashtruar duke i premtuar asaj martesë. Ajo është nisur bashkë me të drejt shtetit fqinj duke shpresuar një jetë më të mirë, por dy vite më parë ajo ka arritur të shpëtojë nga tutorët dhe t’i drejtohet policisë italiane për ndihmë. Pas denoncimit të saj, ata janë larguar nga Italia, ndërsa Gjykata e Milanos i dënoi ata në mungesë. Rreth orës 21:30, policia organizoi një operacion për kapjen e të dy personave, të cilët ishin në listën e të kërkuarve ndërkombëtarë.                  m.r

© Panorama.al

Te lidhura