Trafikantët braktisin drogën, zjarr me policinë

Nov 18, 2011 | 9:13

IGUMENICË- Një sasi prej 338 kg hashashi është braktisur në kufirin shqiptaro-grek dhe 3 transportuesit, te dyshuar shqiptare, pasi kanë shkëmbyer zjarr me policinë greke  janë futur sërish në tokën shqiptare.

Gjithçka ka nisur nga telefonata e një peshkatari grek, i cili, teksa ka shkuar për të peshkuar në vendin e quajtur “Loridha” Sajadhë, ka pikasur 9 çanta të zeza të mëdha. Çantat ndodheshin pak metra larg kufirit shqiptaro-grek dhe nisur nga dyshimi, peshkatari grek ka telefonuar policinë.

Thirrjes së tij i është përgjigjur fillimisht policia e Janinës e më pas ajo e Igumenicës. Në kohën që policia ka mbërritur, janë dëgjuar breshëri armësh që vinin nga një zonë me shkurre. Policët e antidrogës së Igumenicës i janë përgjigjur zjarrit, situatë e cila ka zgjatur rreth 15 minuta.  Pas kësaj, tre shtetas, janë larguar me vrap, nga zona e zjarrit për në brendësi të tokës shqiptare. Policia është vënë në ndjekje të tyre deri në brezin kufitar por pa mundur t’i arrestojë dot.

Nga shkëmbimi i zjarrit nuk ka pasur të lënduar. Policia ka sekuestruar 9 çantat, brenda të cilave u gjet një sasi prej 337 kg e 750 gram hashash. Në vendngjarje u sekuestruan gjithashtu një numër i madh gëzhojash, që përdoren nga arma automatike, model “Kallashnikov”. Policia dyshon se droga ishte lënë aty nga trafikantët në pritje për t’u marrë nga persona brenda tokës greke, ndërkohë që personat që shkëmbyen zjarr kanë qenë në rruajtje të sasisë së hashashit. Vendi ku ndodhi shkëmbimi i zjarrit është shumë pranë me qytezën e Konispolit në Sarandë, prej nga mendohet se është kryer edhe trafikimi i lëndës narkotike.

SHPRESA DINE

© Panorama.al

Te lidhura