Trabzonspori rrezikon përjashtimin

Dec 7, 2011 | 13:37

Trabzonspori rrezikon të përjashtohet nga çdo kompeticion europian. Kjo për faktin se emri i klubit turk është përfshirë në skandalin e ndeshjeve të trukuara. Falë këtij skandali, Trabzonspori u kualifikua në Ligën e Kampioneve pas përjashtimit të skuadrës së Fenerbahçes. Por tani edhe Trabzonspori rrezikon të përpihet nga vorbulla e “Calciopolit turk”. Sipas agjencisë së lajmeve “Italpress”, në 401 faqet e dokumentacionit që Prokuroria i ka dorëzuar Gjykatës së Stambollit, e cila ka 15 ditë kohë që të vendosë të pranojë ose jo provat e Prokurorisë, janë përmendur emrat e drejtuesve të klubeve të Trabzonsporit dhe Beshiktashit. Në këto fashikuj bëjnë pjesë emrat e tre prej drejtuesve të ekipit, që sot në mbrëmje pritet të luajë në Francë kundër Lilës (Sadri Sener, Mustafa Sanit, Nevzat Saka), të cilët rezultojnë të përfshirë në skandalin e basteve në kampionatin turk. Flitet se drejtuesit e klubit turk kanë trukuar një mori ndeshjesh, duke nxjerrë fitime kolosale. Përveç të tjerëve, nën akuzë ka përfunduar edhe zëvendëspresidenti i Federatës, Goksel Gumusdag. Skuadra turke rrezikon të përjashtohet në tavolinë nga kompeticionet europiane, duke e bërë të pavlefshme kështu sfidën e sotme në program për 1/8-at e Ligës së Kampioneve kundër Lilës.

© Panorama.al

Te lidhura