Totozani merr 127 vota, maxhoranca voton Islamin për në KiE

Dec 23, 2011 | 10:56

Parlamenti mbylli dje sesionin parlamentar për vitin 2011.

Mungojnë Berisha, Idrizi e Koka në votimin e ligjeve.

Parlamenti mbylli dje sesionin parlamentar për vitin 2011. Në seancën e fundit ligjvënësit plotësuan dhe një nga 12 kërkesat e Komisionit Europian, duke zgjedhur me konsensus Avokatin e Popullit, propozimin e PS-së, Igli Totozanin. Votimi për Totozanin u realizua në mënyrë të fshehtë dhe kandidatura e tij kaloi me 127 vota pro, 2 kundër dhe 3 abstenime. Pas votimit, Igli Totozani ka kryer betimin dhe ka marrë zyrtarisht detyrën në krye të Avokaturës së Popullit. Po ashtu, dje është betuar para ligjvënësve dhe Bujar Leskaj, kreu i ri i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Pas leximit të formulës së betimit nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli, të dy kandidatët janë betuar para Kuvendit për respektimin e Kushtetutës dhe Ligjeve. Ndërkaq, në seancën e fundit ka rënë në sy mungesa e Kryeministrit Sali Berisha, kreut të PDIU-së, Idrizi dhe deputetit të LSI, Lefter Koka, të cilët nuk morën pjesë as në votimin e nismave ligjore, për këtë sesion të fundvitit. Ndërkaq, me 71 vota kundër dhe 63 pro është rrëzuar kërkesa e opozitës për heqjen e TVSH-së për produktet ushqimore dhe energjinë elektrike, nismë që është shoqëruar me debate për orë të tëra. Po me 71 vota pro dhe 63 kundër është miratuar akti normativ i propozuar nga qeveria për lejimin marrjes së një kredie nga KESH për të përballuar importin e energjisë elektrike gjatë stinës së dimrit.
Debatet
Projektligji i mbikëqyrjes elektronike ka qenë pikë e fortë e debatit në Kuvend. Kjo nismë u miratua vetëm më votat e shumicës parlamentare. Drafti i mbikëqyrjes elektronike mori 71 kartonët jeshilë të shumicës dhe 63 votat kundër të opozitës. Opozita e kundërshtoi ligjin në fjalë, pasi sipas tyre, personat që do të mbahen në arreste shtëpie, me çipin elektronik në këmbë, mund të përdoren politikisht gjatë fushatave elektorale. Por, ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, tha se projekti synon të garantojë zbatimin korrekt të vendimeve të gjyqësorit, ndërsa e vlerësoi si një ligj shumë të rëndësishëm në kuadër të reformës në Drejtësi. Sipas tij, subjektet që do të kërkojnë këtë lloj mbikëqyrjeje do të jenë prokurorët, pala e dëmtuar, viktimat e dhunës, ndaj agresorëve të tyre etj. Ai nënvizoi se efekti financiar i pritshëm në vitin 2012, vetëm për 300 të dënuar te të cilët do aplikohet fillimisht kjo lloj masë, ka një kursim prej 84 milionë lekësh. Mbikëqyrja elektronike do të përfshijë vendosjen e një “pranga” ose detektori në trupin e personit dhe do të mbikëqyret nga policia 24 orë dhe nga Drejtoria e Burgjeve. Parashikohet që aplikimi i kësaj mase të fillojë me rreth 300 të dënuar në Tiranë vitin e ardhshëm dhe më pas për t’u shtrirë në rrethet e tjera të vendit.

Fyle e Volfarth përshëndesin emërimin e Totozanit
Ndërkombëtarët vlerësuan votimin me konsensus dje në Kuvend të Igli Totozanit në postin e Avokatit të Popullit. Në një deklaratë të komisionerit Stefan Fyle shprehet vlerësimi për konsensusin e arritur. “Plotësimi i këtij pozicioni do të ndihmojë në forcimin e një institucioni të pavarur, i cili luan një rol themelor në ruajtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë. Mënyra si u finalizua ky emërim përbën një hap të rëndësishëm në konsolidimin e dialogut ndërmjet shumicës qeverisëse dhe opozitës”, thuhet në deklaratën e komisionerit Fyle. Edhe kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë mirëpriti zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit nga Kuvendi i Shqipërisë. “Votimi konsensual i sotëm tregon se si dialogu mes dy blloqeve kryesore politike mund të japë rezultate në dobi të popullit të Shqipërisë”, thekson në deklaratën e tij Eugen Volfarth.

Votimi ne Parlament
1.Projektligjet “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”

Opozita:     63 vota pro
Maxhoranca:     71 vota kundër

2. Projektligji “Për mbikëqyrjen elektronike në fushën penale”
Maxhoranca:     71 vota pro
Opozita :     63 vota kundër

3. Projektligji “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit”
Maxhoranca:     71 pro
Opozita:     62 abstenim
1 kundër

4. Akt normativ “Për buxhetin e vitit 2011”
Maxhoranca:     71 vota pro
Opozita:      63 kundër

5 .Igli Totozani, Avokati i Popullit (Votimi i fshehtë)
127 pro, 2 kundër, 3 abstenime

6. Bordi i AMF-së (Votim i fshehtë)
Miranda Ramaj    72 pro, 62 kundër
Riçard Marku    74 pro, 58 kundër

Debate në seancën e Parlamentit
PS kërkon të heqë Islamin nga delegacioni i KiE, maxhoranca e voton

Parlamenti shqiptare rikonfirmoi dje me votat e maxhorancës delegacionin e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Partia socialiste kërkoi rikompozimin e tij për shkak se Kastriot Islami, i cili është anëtar i këtij delegacioni, nuk është më pjesë e Grupit Parlamentar socialist. Kreu i Grupit Parlamentar, Ruçi, i kërkoi maxhorancës që të bëhet balancimi mes maxhorancës dhe opozitës në këtë delegacion. Ai kërkoi që balancimi i delegacionit të jetë edhe si shprehje e vullnetit të mirë të maxhorancës pas konsensusit të arritur me opozitën. “Ne kërkojmë që të balancohet delegacioni sipas Rregullores së KiE-së, raportet mes maxhorancës dhe opozitës janë tepër të afërt dhe kërkohet një balancim i përfaqësuesve tanë, dy anëtarë maxhoranca dhe dy opozita dhe po kaq dhe për zëvendësuesit. Parlamenti, në kuadër dhe të këtij bashkëpunimi pozitë-opozitë, duhet të realizojë këtë balancim. Kjo është prova e parë që mund të japë maxhoranca, se deri tani provat e këtij bashkëpunimi i ka dhënë opozita”, u shpreh Ruçi. Por, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kërkoi që Islami të mbetet në këtë delegacion si përfaqësues i opozitës për shkak se ai është dhe reporter i KiE-së. “Në 20 vjet anëtarë të KiE-së askush nuk ka arritur që një anëtar i delegacionit shqiptar të bëhet reporter i KiE-së. I vetmi që është bërë e ka emrin Kastriot Islami, që i takon opozitës. E kam kundërshtar politik, por nuk mund të mos e vlerësoj faktin që, kur bëhen analizat e KiE-së , ai figuron te reporterët, dhe Shqipëria nga zoti Islami shikohet me respekt. Kur maxhoranca dhe opozita nuk arrijnë në konsensus, ka vetëm një zgjidhje, të hidhet në votë”, u shpreh Topalli. Në fund, me votat e maxhorancës, Kuvendi nuk bëri asnjë ndryshim, por la në fuqi përbërjen aktuale të delegacionit.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura