Presidenti Bamir Topi u shpreh dje se zgjedhjet lokale të 8 majit janë të rëndësishme për qytetarët. Kreu i Shtetit tha në përfundim të një takimi me Akademinë e Shkencave se partitë duhet të respektojnë institucionin e zgjedhjeve. “Zgjedhjet për administratën vendore në radhë të parë janë zgjedhje për t’u shërbyer më mirë qytetarëve, sepse është pushteti që është më afër qytetarit. Kështu që unë besoj dhe jam mjaft optimist që përtej retorikave dhe konfliktualitetit politik, partitë politike duhet të respektojnë të gjitha institucionin më të rëndësishëm demokratik, që është institucioni i zgjedhjeve qoftë ky i zgjedhjeve të përgjithshme, qoftë ky i pushtetit vendor. Tani jemi para zgjedhjeve të pushtetit vendor”, tha Topi. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në zgjedhjet e 8 majit. Duke folur një ditë pas mbylljes së regjistrimit të partive, Kreu i Shtetit u shpreh se “qytetarët duhet të përgatiten që të jenë aktivë në këtë fushatë zgjedhore dhe ç’është më e rëndësishmja, që të gjithë të krijojnë një klimë që të marrin pjesë në zgjedhje. Të zgjidhen në një mënyrë shumë demokratike organet e pushtetit vendor, të jemi ne ata që të kemi në dorë institucionet! Kur them ne, e kam fjalën për qytetarët dhe pastaj të fitojë më i miri! Të fitojë ai që i jep më shumë besim qytetarit dhe ai që do të realizojë ato projekte që ka premtuar”. Sipas Presidentit “të bëjmë të dallueshëm pikërisht pushtetin vendor nga pushteti qendror, sepse ndryshe gjërat kamuflohen, qytetari nuk merr mesazhin e duhur, sepse mesazhet për pushtetin vendor janë shumë të thjeshta. Dikush jeton në fshat, dikush jeton në qytet. Ai që jeton në qytet kërkon rrugë të gjera. Ai që jeton në fshat kërkon një rrugë për të komunikuar, veç shërbimeve të tjera”.











