Topi: Zgjedhjet, me standarde. Partitë, përgjegjëse

Mar 7, 2011 | 12:17

TIRANË- Presidenti i vendit Bamir Topi ka kërkuar nga partitë politike përgjegjësi të plotë për zgjedhje sipas standardeve, përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore dhe të fushatave përkatëse. Deklarata është bërë sot gjatë takimit që kreu i shtetit zhvilloi me zëvendës presidenten e Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan (NDI), Shari K. Brajan dhe Drejtorin Rajonal për Evropën Qendrore dhe Lindore të këtij Instituti, Robert Benxhamin. Presidenti shprehu mirënjohjen për kontributin konkret dhe të specializuar që ky “organizëm i rëndësishëm dhe me famë botërore, i krijuar në vendin kampion të demokracisë”, ka ofruar vazhdimisht nëpërmjet programeve të ndryshme për zhvillimin e shoqërisë shqiptare sipas standardeve demokratike perëndimore.

Topi, duke vënë në dukje rëndësinë e zgjidhjes sa më shpejt të mosmarrëveshjeve politike dhe ruajtjen e qetësisë e maturisë për zhvillimin me sukses dhe sipas standardeve të duhura demokratike të zgjedhjeve vendore të 8 majit, u shpreh se “edhe në këto zgjedhje vendore, partitë politike duhet të mbajnë përgjegjësitë jo vetëm në drejtim të përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore, por edhe të organizmit së fushatës zgjedhore dhe zhvillimit të zgjedhjeve sipas standardeve më demokratike”.

Ndërkohë që në prag të Festës së 8 Marsit Topi theksoi rëndësinë e rritjes së pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të grave në politikë dhe nëpër institucione.

Nga ana e tyre, Brajan dhe Benxhamin e siguruan Kreun e shtetit shqiptar se do të vazhdojnë të japin kontributin dhe përvojën e tyre institucionale në dobi të realizimit me sukses të të gjitha aktiviteteve të ardhshme të Institutit amerikan në vendin tonë.

© Panorama.al

Te lidhura