Presidenti Bamir Topi ka vleresuar zgjedhjet vendore, si zgjedhje te realizuara me sukses dhe sipas standardeve demokratike.
Kete deklarate kreu i shtetit e ka bere gjate takimit te zhvilluar me presidentin e Turqisë, Abdullah Gyl, gjatë qëndrimit në Stamboll, ku po zhvillohen punimet e Konferencës së 4-t të Kombeve të Bashkuara mbi Vendet më pak të Zhvilluara.
Sipas njoftimit te zyres per shyp te Presidences, Topi bëri një panoramë të situatës më të fundit në vend, të realizimit me sukses dhe sipas standardeve demokratike të zgjedhjeve vendore të 8 majit si dhe të projekteve të reja të rëndësishme, sidomos pas liberalizimit të vizave për Shqipërinë me Bashkimin Evropian, duke theksuar se shteti shqiptar dhe qytetarët shqiptarë janë të ndërgjegjshëm për sfidat dhe detyrimet që i presin përpara gjatë rrugëtimit integrues për në Bashkimin Evropian.
Kreu i Shtetit shqiptar, duke vlerësuar edhe njëherë mbështetjen e shtetit e popullit mik të shqiptarëve, Turqisë, edhe në momente me rëndësi jetike për vendin tonë, shprehu mirënjohje për ndihmesën e madhe në të gjitha fushat, por veçanërisht në atë të mbrojtjes, në kuadër të angazhimit të vendit tonë si anëtar i NATO-s, në misionet paqeruajtëse në Afganistan e Irak, ku forcat ushtarake të të dyja vendeve tona kanë dhënë kontributin e tyre krah për krah në dobi të forcimit të paqes në botë.
Nderkohe, presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl, siguroi se shteti turk do të mbështesë fuqimisht Shqipërinë në hapat e saj të rëndësishëm të përforcimit të shtetit demokatik.
Gjithashtu, Presidenti Gyl theksoi se intensifikimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh dhe kalimi me sukses i të gjitha etapave për të plotësuar standardet, do të jenë ndikojnë dukshëm në realizimin e qëllimit të përbashkët të integrimit të dy vendeve tona në Bashkimin Evropian.
© Panorama.al











