Presidenti Bamir Topi zgjodhi qarkun e Dibrës për të përkujtuar dëshmorët e atdheut. Pasi vendosi kurora me lule te Varrezat e Dëshmorëve, ai u shpreh se vepra e të rënëve për liri ka në thelb vlerat e patriotizmit dhe të atdhedashurisë. “Dëshiroj në këtë ditë të shënuar, Dita e Dëshmorëve të Kombit, të vlerësoj veprën e tyre që përkujtohet sot nga mbarë shqiptarët, kudo në mbarë Shqipërinë. Erdha për ta përkujtuar këtë ditë në Dibër, sepse Dibra, si çdo qelizë e tokës shqiptare, është një zonë e shquar patriotizmi me vlera të mëdha historike dhe besoj që gjithçka që ne gëzojmë sot, gjithçka që ne po ndërtojmë sot drejt rrugës për në Bashkimin Europian, patjetër është ndërtuar mbi një bazament vlerash patriotizmi që u dedikohet të gjithë dëshmorëve të kombit, të gjithë patriotëve, dhe kjo është arsyeja që ne përulemi sot për të nderuar veprën e tyre”, tha Topi, i cili më pas zhvilloi vizita në familjet e dëshmorëve dibranë të rënë për atdheun: te mbesa e Heroit të Popullit Nazmi Rushiti, familja e Heroit të Popullit Irfan Hajrullahu dhe te familja e dy vëllezërve të rënë, Tasim dhe Hamza Shehu.
Sarandë, 5 Maji bashkon rivalët
SARANDE – Kandidatët për zgjedhjet e 8 majit nderojnë dëshmorët. Në Tiranë e rrethe janë vendosur buqeta me lule në varrezat e dëshmorëve dhe në memoriale në kujtim të të rënëve. Një ceremoni e tillë është zhvilluar dhe në qytetin e Sarandës, ku përkujtimi i 5 majit ka sjellë dhe bashkimin e rivalëve, ndonëse për pak momente. E veçanta e përkujtimit të kësaj dite ka qenë pikërisht tek homazhet e përbashkëta, tek shtrëngimi i duarve mes kandidatëve për kryetarë të bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka dhe Stefan Çipa dhe tek shfaqja në krah të njëri-tjetrit e deputetëve, socialistes Luiza Xhuvani dhe Leonard Demit të PD-së. Ata janë mbledhur në të njëjtën kohë në varrezat e dëshmorëve, krahas krahas veteranëve të Luftës Nacional Çlirimtare dhe të familjarëve të dëshmorëve. Në fund të ceremonisë dy rivalët politikë për bashkinë. Edmond Gjoka nga PD e Stefan Çipa nga PS i kanë dhënë dorën njëri – tjetrit. Të njejtën vlerë kanë transmetuar edhe deputetët Leonard Demi e Luiza Xhuvani, duke qenë në krah të njeri-tjetrit e duke komunikuar me dashamirësi e qytetari.











