Topi: Të rikthehet normaliteti demokratik

May 20, 2011 | 10:08

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, shprehu dje shqetësim për anulimin e vizitës së programuar të Presidentit të Komisionit Europian në Tiranë, Hoze Manuel Barroso, duke e cilësuar “një zhvillim jo të këndshëm dhe një shans të vonuar për Shqipërinë”. Kreu i shtetit shqiptar deklaroi se zhvillimet politike postzgjedhore po japin mesazh të gabuar te ndërkombëtarët, ndërkohë që ka theksuar se përgjegjësia bie mbi udhëheqësit politikë. “Shtyrja e vizitës së Presidentit të Komisionit Europian është një zhvillim jo i këndshëm dhe një shans i vonuar për Shqipërinë. Zhvillimet e fundit politike dhe postzgjedhore në Tiranë dhanë sinjalin e gabuar dhe duket se u bënë pengesë për realizimin e kësaj vizite të mirëpritur e me vlera historike për popullin shqiptar. Përgjegjësia kryesore për vonesën e kësaj mundësie bie direkt mbi partitë kryesore politike, udhëheqjen, militantët dhe sjelljen e tyre”, thuhet në deklaratën e Presidentit, bërë publike nga Drejtoria e Informimit Publik të këtij institucioni. Duke vlerësuar kontributin e zotit Barroso si mbështetës kryesor në rrugën e reformave dhe të zhvillimit të Shqipërisë, kreu i shtetit u shpreh se vizita e tij do të shënonte një fazë të re në afrimin e vendit me strukturat e BE.
“Zoti Barroso ka qenë dhe është një mbështetës i Shqipërisë në rrugën e saj të reformave dhe integrimit, dhe vizita e tij pritej të konfirmonte një fazë të re afrimi të vendit tonë me Bashkimin Europian”, vijon deklarata e presidentit Topi. Kreu i shtetit, në përfundim të deklaratës së tij, ka bërë thirrje për rikthimin e normalitetit në vend dhe zgjidhjes së problemeve nëpërmjet rrugës ligjore dhe u kërkon partive politike që mbi interesat e tyre partiake të vendosin interesat e vendit. “Në këto çaste të vështira politike, thirrja dhe apeli është rikthimi i normalitetit demokratik, mbizotërimi i interesave publike mbi ato partiake, maturia dhe përgjegjësia për të dëshmuar aftësi udhëheqëse në gjetjen e rrugëve ligjore e demokratike të zgjidhjes së problemeve të krijuara”, përfundon deklarata e presidentit të Bamir Topi.

Takimet

Presidenti i Republikës zhvilloi dy ditë më parë, në funksion të zgjidhjes së krizës aktuale, diplomatët më të rëndësishëm në Shqipëri, ambasadorin e SHBA, Arvizu, si dhe ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, me të cilët diskutoi rreth situatës më të fundit në vend. “Në këto çaste duhet që palët politike të respektojnë institucionet dhe vetë institucionet e pavarura duhet të respektojnë ligjin dhe Kushtetutën”, janë shprehur bashkëbiseduesit.

© Panorama.al

Te lidhura