
Presidenti Bamir Topi u prit dje në rezidencën “Vaxhbah” nga Emiri i Shtetit të Katarit, Hamad Bin Khalifa Al Thani. Gjatë takimit u vlerësua pozitivisht klima e dialogut që ekziston mes dy vendeve. “Presidenti Topi i shprehu Emirit të Katarit, Sheik Hamad Bin Khalifa Al Thani, mirënjohjen për qeverinë e tij dhe gjithë popullin e Katarit për organizimin e shkëlqyer të kësaj veprimtarie dhe për mikpritjen e treguar. Duke vlerësuar rëndësinë e shkëmbimit të vizitave bilaterale të nivelit të lartë, Presidenti Topi shprehu “besimin se këto takime do të kontribuojnë në nxitjen e bashkëpunimit të mëtejshëm, kryesisht në sektorin ekonomik, shkëmbimeve tregtare dhe rritjes së investimeve”. Në këtë kuadër, Presidenti Topi ritheksoi interesin e shtetit shqiptar për të mirëpritur investimet e kompanive dhe firmave prestigjioze e të fuqishme të shtetit të Katarit, kryesisht në sektorin energjetik, në infrastrukturë, në shëndetësi, turizëm, arsim, si dhe për organizimin e sipërmarrjeve të përbashkëta tregtare”, thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës. Gjatë takimit, kreu i shtetit shqiptar vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të Katarit edhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se tashmë Ballkani Perëndimor, i cili ka fituar siguri të qëndrueshme, me tregun e vet të përbërë nga vende që të ardhmen e kanë patjetër në strukturat euro-atlantike, paraqet mundësi tërheqëse për investime me shtrirje rajonale. “Nga ana e tij, Emiri i shtetit të Katarit, Hamad Bin Khalifa Al Thani, e falënderoi Presidentin Topi për pranimin e ftesës dhe këtë vizitë në shtetin e Katarit. Ai shprehu bindjen se shkëmbimet e mendimeve në të tilla nivele janë një kontribut real në zhvillimin e marrëdhë-nieve mes popujve dhe qeverive në nivel bilateral, po ashtu dhe për bashkëpunimin e gjithanshëm në kuadrin e organizmave ndërkombëtarë”, thuhet më tej në njoftimin e Presidencës.
“Shqiptarët, rol stabiliteti në rajon”
“Faktori shqiptar, i pranishëm në të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, po luan një rol stabiliteti e sigurie, me frymë bashkëpunimi dhe ndërkëmbimi, politik, ekonomik e kulturor, pasi ne thellësisht besojmë se në këtë mënyrë mund të kontribuojmë në kapërcimin e mentaliteteve konfliktuale, drejt zvetënimit të nacionalizmave politiko-historike, për një të ardhme e mirëqenie më të mirë të popujve tanë, një frymë kjo që po përçohet pozitivisht edhe nga shteti më i ri në rajonin tonë, Republika e Kosovës”, u shpreh Presidenti në fjalën e mbajtur në Samitin e Katërt Botëror të Aleancës së Qytetërimeve.











