Gara në vitin 2012, Topi sfidon Berishën: President nga populli

Dec 27, 2011 | 10:47

Topi e Dako dje në Durrës

Kreu i shtetit: “Nëse do zgjidhet nga populli, unë do jem në garë dhe fitoj me cilindo”.

Presidenti i përgjigjet Berishës: Presidenca ka qenë, është e do të mbetet institucioni kushtetues më përfaqësues.

Presidenti Bamir Topi iu përgjigj dje Kryeministrit Berisha, i cili e akuzoi se e ka kthyer Presidencën në një parti politike. Kreu i shtetit, gjatë një vizite në Durrës, tha për mediat se do ta ushtrojë mandatin deri në ditën e fundit, teksa u shpreh se nuk është shtojcë e orekseve politike. Ai u shpreh se do të kandidonte për një mandat tjetër vetëm nëse Presidenti do të zgjidhej nga populli.
Zoti President, Kryeministri Berisha ka deklaruar një natë më parë se Presidenca është kthyer në një parti politike. Cili është komenti juaj?
Ma thanë këtë, por e thënë kjo në një ditë të shenjtë, sikurse ishte dita e Krishtlindjes, natyrisht të vjen keq, sepse deklaratat e politikanëve të paktën duhet të jenë në kohezion me atë që thonë në mëngjes, që duhet të stimulojmë dialogun, komunikimin, bashkëpunimin. Unë mund t’ju them atë që e kam thënë vazhdimisht. Ta rikonfirmoj qartazi dhe prerë. Institucioni i Presidentit ka qenë, është dhe do të mbetet një institucion kushtetues më përfaqësues, i cili në mënyrë shumë rigoroze ka zbatuar, zbaton dhe do të zbatojë deri në momentin e fundit që unë do të jem në Presidencë, Kushtetutën e vendit dhe kurrsesi nuk mund të shkojë sipas dëshirave të partive që të jetë apendiks i orekseve politike të partive politike, pavarësisht se cili është “background”-i politik i Presidentit. Pra, unë dëshiroj t’i siguroj qytetarët shqiptarë që, pavarësisht insinuatave që hidhen, Presidenti do të mbetet President deri në sekondën e fundit të mandatit të tij.
Jeni akuzuar, po nga Kryeministri, se po mbani peng sistemin e drejtësisë. Cili është reagimi juaj?
Unë mund të them që, ajo që akuzohet sot, jo vetëm nga qytetarët shqiptarët, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë, është mungesa për një kohë të gjatë e bashkëpunimit politik, sidomos në Parlament, për realizimin e reformave të domosdoshme që janë edhe në funksion të Gjyqësorit. Gjithçka tjetër ka qenë konform Kushtetutës dhe ligjeve.
Nuk do të jeni kandidat për President i maxhorancës. Kjo edhe një herë tjetër vjen nga Kryeministri Berisha. Si e komentoni këtë?
S’ka nevojë që ta thotë askush, sepse e kam thënë unë që nuk do të rikandidoj për një mandat tjetër; vetëm, në rast se, zotërinjtë që kanë në dorë ndryshimet kushtetuese për të bërë zgjedhjen e Presidentit ashtu sikurse e meriton, nga populli. Nëse do të ketë një ndryshim të kësaj natyre, që zor se do të ketë, sepse janë vetë politikanët që i druhen verdiktit popullor, unë do të jem në garë dhe e ftoj cilindo që të jetë në garë për të marrë verdiktin drejtpërdrejt nga njerëzit e thjeshtë, nga populli.
Ju do t’i inicioni këto ndryshime kushtetuese?
Presidenti nuk inicion ndryshime. Ndryshimet vijnë nga pikëpamja kushtetuese, ose nga Parlamenti, ose nëpërmjet referendumeve. Presidenti ushtron detyrën e tij. Pak më parë ju thashë se deri në sekondën e fundit unë do të jem President dhe aspak pjesë e ndonjë partie.
Tani që pothuajse është konfirmuar edhe krijimi i një partie të re, a ka ndonjë emër deputeti ku do të pozicionohet…?
Kush e konfirmoi këtë? Keni dëgjuar nga unë? Ju mos merrni dhe perifrazoni vullnetet e të tjerëve. Dëgjoni Presidentin kur thotë se deri minutën e fundit do të jem President. Ata që kanë frikë për të ardhmen politike, pastaj, atëherë është çështje e tyre. Nuk kam faj unë nëse kthehem në obsesion ndaj të tjerëve. Unë jam njeri i drejtpërdrejtë. Atë që e them, e them vetë dhe nuk ka nevojë që ta thonë të tjerët.

Berisha: Nuk bëhej fjalë që ne të kandidonim Topin
Kryeministri Berisha, gjatë një interviste për “Ora News”, e cilësoi deklaratën e Bamir Topit për tërheqjen nga gara presidenciale si të vetmen rrugë, pasi Topi deklaroi dy javë më parë se ai nuk do të jetë më kandidati i maxhorancës. “Kjo deklaratë vjen pasi dy javë më parë unë u bëra të qartë shqiptarëve se ai nuk do të jetë më kandidat i kësaj shumice. Kështu që do të kishte qenë më e mbarë që një deklaratë e tillë të vinte të paktën tri javë më parë. Megjithatë, më mirë vonë, se kurrë. Dhe natyrisht, nuk bëhet fjalë që ai të ishte kandidati i shumicës”, deklaroi shefi i qeverisë. Për Kryeministrin, vendimi për të “eliminuar” Topin nga pretendentët e PD-së ka ardhur për faktin se ky i fundit ka punuar kundër programit të PD-së. “Zoti Topi, gjatë Presidencës së tij ka ndërmarrë një seri aktesh, do të thosha të papajtueshme kryekëput me programin e PD-së, ka shkelur disa nga parimet e mëdha programore të saj dhe faktikisht po dekonstitucionalizon institucionin e Presidencës, duke e shndërruar atë në selinë e një partiçke të vogël; çka nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e një vendi”, deklaroi Berisha.

Kreu i shtetit, në Kavajë e Durrës. Dekoron artistë dhe sportistë
“Pushteti vendor të jetë në shërbim të interesave të qytetarëve”

Presidenti Topi dhe kreu i bashkise, Roshi, dje ne Kavaje

Presidenti Bamir Topi ka udhëtuar dje në Kavajë dhe Durrës, ku ka zhvilluar takime në shtëpinë e të moshuarve dhe ka dekoruar disa personalitete të qytetit bregdetar. Fillimisht, kreu i shtetit u prit nga kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, përfaqësues të Këshillit Bashkiak dhe drejtues të bashkësive fetare. Në bisedën me Roshin, Presidenti tha se besimi i qytetarëve për drejtuesit e pushtetit vendor duhet të shndërrohet në punë dhe shërbime në interes të nevojave të qytetarëve kavajas dhe të këtij qyteti me vlera historike dhe tradita të çmuara. Gjatë bisedës në shtëpinë e të moshuarve Topi vuri theksin te shtimi i investimeve për këtë ambient dhe përmirësimin e kushteve. “Jam i bindur që ju jeni më altruistë sesa disa egoistë që janë mirë me shëndet, janë mirë me gjendje ekonomike dhe duhet të shohin më shumë se ju. Duhet të shohin më shumë tek ju, por të shohin në radhë të parë kujdesin për të thënë një fjalë të mirë. Ai që ka mundësinë, pastaj, të kontribuojë për ju. Kjo shtëpi ka nevojë që të modernizohet. Kjo shtëpi ka nevojë që të ketë kushte të mira, sepse më shumë se ju, askush tjetër nuk e ndien nevojën që të ndjehet rehat”, u shpreh Topi.
Gjatë udhëtimit në Durrës, kreu i shtetit u takua me kryetarin e Bashkisë, Vangjus Dako dhe përfaqësues të pushtetit vendor. Ai dekoroi shoqatën “Durrësi” me medaljen “Për merita të veçanta civile” me këtë motivacion: “Për kontribut të çmuar në evidentimin, ruajtjen dhe transmetimin e vlerave të trashëgimisë kulturore, atdhetarizmit dhe qytetarisë durrsake, për merita të veçanta në organizimin e një veprimtarie të gjerë për rritjen e ndjeshmërisë dhe solidaritetit shoqëror”. Gjithashtu, Aishe Stari u dekorua me urdhrin “Mjeshtër i Madh”, Roland Koça me urdhrin “Naim Frashëri” i Artë dhe Nikolla Profkola me urdhrin “Mjeshtër i Madh”. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë ceremoni, Topi iu rikthye fëmijërisë së tij për të folur për qytetin e Durrësit. “Asnjëherë nuk e kam ndarë dashurinë për Tiranën dhe Durrësin. Kam pasur edhe disa nga arsyet e mia specifike, sepse disa nga paraardhësit e mi janë lidhur me Durrësin. Kështu që unë mbaj mend nga Durrësi shumë gjëra. Kam qenë fëmijë. Po i thosha kryetarit të Bashkisë se kur flija në Durrës, te tezja, dëgjoja orën, kambanën e orës së Durrësit, që sot nuk kumbon; por duhet të rikumbojë. Mbaj mend atë moment të jashtëzakonshëm të zbulimit të Amfiteatrit. Në mos gaboj ka qenë viti 1966 ose 1967. Mbaj mend zhurmën e lokomotivës së trenit. Ka qenë treni me avull në atë kohë”, u shpreh Topi. Në fund ai vizitoi edhe Qendrën e Zhvillimit Rezidencial, ku u shpreh se “atje ku ky fat nuk shkon ashtu siç duhet, në mënyrë të natyrshme, patjetër është shteti, është shoqëria, pra janë institucionet, janë njerëzit që kanë një botë shpirtërore, e cila meriton të vlerësohet, që bëjnë të mundur që këta fëmijë patjetër të ndjehen nën kujdesin e shtetit dhe të strukturave të tij”. l.m

© Panorama.al

Te lidhura