TIRANË- Zhvillimet më të fundit politike në vend dhe ecuria e procesit integrues evropian të Shqipërisë kanë qenë në qendër të bisedimeve mes presidentit Bamir Topi dhe kreut të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sekui.
Kreu i Shtetit theksoi domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut politik institucional për realizimin e reformave të nevojshme, shmangien e debateve të panevojshme e të parakohshme si dhe përmbushjen e kritereve që do të mundësonin bërjen pjesë edhe zyrtarisht të Shqipërisë në familjes së madhe evropiane.
Nga ana e tij, Sekui, duke vlerësuar rolin kushtetues dhe institucional të Presidentit Topi si simbol i unitetit të popullit, nënvizoi rëndësinë e vazhdimësisë së reformave të ndërmarra dhe dialogut konstruktiv mes forcave dhe aktorëve politikë për të ardhmen integruese evropiane të vendit tonë.











