Topi: S’do t’i drejtohem Kushtetueses

Jan 12, 2012 | 11:36

Presidenti Topi ne studion e “Fiks Fare”

Kreu i shtetit, në emisionin “Fiks Fare”: I lumtur që Berisha ka thënë se kam shkelur programin e PD.

“Debati për kuorumin në Parlament ka lindur te palët politike”

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaroi dje se nuk do të ushtrojë kompetencën e tij për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për interpretimin e nenit të zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Presidenti Topi mori pjesë për herë të parë në emisionin investigativ dhe satirik “Fiks Fare” në “Top Channel”, nga ku deklaroi se nuk do të përfshihet në debatin për kuorumin e Parlamentit dhe interpretimit të nenit 87 të Kushtetutës. Topi deklaroi se kjo është një çështje që u përket partive politike, që sipas tij i kanë të gjitha atributet për të vendosur Kushtetuesen në lëvizje. “Sipas ligjit, sipas Kushtetutës, natyrisht që Presidenti ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Por këtë të drejtë e kanë edhe palët politike. Meqenëse ky debat ka lindur tek palët politike, ato kanë edhe mundësinë që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Për të qenë i drejtpërdrejtë me ju, unë nuk do ta shfrytëzoj si president këtë atribut të Presidentit, për sa kohë e kanë të tjerët”, deklaroi Topi. Për Presidentin Topi, në rastet kur ka paqartësi në librin themeltar të shtetit, i vetmi institucion që ka të drejtë të bëjë interpretime është Gjykata Kushtetuese. “Për ata që duhet ta njohin mirë për t’u shprehur, Gjykata Kushtetuese është garant i Kushtetutës. Në rast se dikush kërkon pastaj t’i bëjë interpretim në Gjykatë, është i lirë ta bëjë”, pohoi Topi.
I pyetur nga drejtuesit e emisionit, Sajmiri dhe Doktori për një votim hipotetik ndaj kandidaturave të z. Berisha dhe znj.Topalli, Presidenti i është përgjigjur, duke ironizuar dekonspirimin e fshehtësisë së votës së tij më 8 maj. “Eksperienca ka treguar që vota e Presidentit nuk është e fshehtë. Pavarësisht çfarë shpreh unë, janë të tjerët që shprehen në emrin tim. E rëndësishme është që njerëzit kanë kurajë të shprehen me transparencë”, theksoi ai.
Replika me kryeministrin
Kreu i shtetit ka replikuar edhe me Kryeministrin Berisha, i cili pak kohë më pare theksoi se Presidenti Topi ka shkelur kryekëput programin e PD-së në pikat kryesore të tij. Për ish-nënkryetarin e PD-së, një deklaratë e tillë tregon që institucioni i Presidentit ka qenë larg politikës dhe mbi palët, ndaj ndihej krenar për këtë qëndrim. “Ndihem vërtet i lumtur që marr këtë konsideratë, sepse ditën kur kam shkuar për t’u betuar në Parlament, për të qenë President i të gjithë shqiptarëve, për të respektuar Kushtetutën, kam bërë dorëheqjen nga të gjitha funksionet e mia partiake. Fakti që unë kam shkuar atje, më jep kënaqësi që të interpretohet ne këtë mënyrë”, deklaroi ai.
Partia e re
Ndonëse ka deklaruar që e ardhmja e tij në përfundim të mandatit të Presidentit është krijimi i një partie të re politike, Bamir Topi ka refuzuar të japë komente apo detaje lidhur me përbërjen e saj. Sipas tij, të gjithë flasin për partinë e re, vetëm ai jo. Topi pohoi se nuk disponon një program politik për partinë e re, për të cilën ende nuk është vendosur nëse do të krijohet. Kreu i shtetit ka shmangur dhe komentet për deklaratën e ish-deputetit demokrat, Aleksandër Biberaj, i cili një ditë më parë rrëfeu për Gazetën “Panorama” përgatitjet e programit të partisë së Presidentit aktual, Topi. “Unë duhet të shoh pak gazetat për t’u orientuar nëse do të merrem me polikë pas mbarimit të mandatit, duhet të orientohem për të ndërtuar programin. Sepse fakti që e kanë gazetat dhe nuk e kam unë, është një mundësi për ta pasur”, tha Topi. Në përfundim të emisionit, Presidentit Topi i është dhuruar simboli i emisionit “Fiks Fare”, rrota dhe një medalje me motivacionin: “Për sakrificën e madhe duke thyer heshtjen katërvjeçare, dhe për kontributin që dhatë në dështimin e puçit të 21 janarit 2011”.

Topi: Pronarët po plaken gjyqeve
Presidenti Bamir Topi ka deklaruar dje se çështja e pronës është një problem i pazgjidhur nga qeveria dhe, sipas tij, pronarët legjitimë po plaken gjyqeve. “Me sa duket, nuk ka më shumë probleme tek pronat e ish-pronarëve, që për fat të keq kanë mbetur gjithmonë me ish përpara. Pronarët kanë mbetur fatkeqësisht vetëm me letra nëpër duar. Janë plakur gjyqeve. Një pjesë të të cilëve i kemi parë të jenë shumë të devotshëm për të respektuar shtetin, për të respektuar letrat, dokumentet. Por fakti që nuk është i njëjti kujdes, do të thotë që prioritet është diçka tjetër”, tha Topi.

Damian Gjiknuri: “Duhen 84 deputetë për Presidentin”
Deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri, deklaroi dje se në tri raundet e para të votimit për kreun e shtetit pjesëmarrja e 84 deputetëve është e domosdoshme jo vetëm për të zgjedhur Presidentin, por edhe për t’i zhvilluar vetë seancat. Sipas Gjiknurit, kuorumi i cilësuar del nga interpretimi i frymës së Kushtetutës. “Po të interpretosh Kushtetutën, ka vend për të diskutuar, në veçanti për figurat”, theksoi deputeti i PS. Të majtët e cilësojnë si të parakohshëm një ankimim në Gjykatën Kushtetuese. “Për ne, dërgimi i çështjes në Gjykatë është një debat i parakohshëm. Tani e rëndësishme është që të ulemi e të dialogojmë, pa paragjykuar asnjë emër”, u shpreh ai.

Ambasadorja gjermane: Konsensus për Presidentin
Sipas ambasadores gjermane në Tiranë, Carola Muller-Holtkemper, zgjedhja e Presidentit të ri duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe rregullat e vendit. Nga qyteti i Burrelit ambasadorja Holtkemper deklaroi dje se figura e kreut të ri të shtetit duhet të jetë një promotor i interesave të vendit dhe një individ që jeton në Shqipëri. Sipas diplomates gjermane, konsensusi midis palëve do të përkrahej nga ndërkombëtaret, nëse dy partitë kryesore do të votonin një kandidaturë të përbashkët. Sipas saj, libri themeltar i shtetit është i qartë për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. “E rëndësishme është që të zgjidhet Presidenti, kuptohet sipas rregullave. Ai duhet të jetojë në Shqipëri dhe të punojë shumë për vendin e tij. Shqipëria ka një Kushtetutë, ka rregulla si zgjidhet Presidenti. Ne vazhdimisht kemi mbështetur konsensusin mes palëve për çështje kaq të rëndësishme”, pohoi ambasadorja gjermane. Gjatë vizitës së saj në qytetin e Burrelit, Holtkemper ka zhvilluar një takim me kryetaren e Bashkisë Burrel, Adelina Farrici, ka vizituar disa shkolla, çerdhe e kopshte, si dhe Muzeun Historik të rrethit të Matit.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura