Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u takua dje me drejtorin rajonal për Ballkanin Perëndimor në Zyrën e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Daniel Fërn, me të cilin ndau zhvillimet brenda vendit. Kreu i shtetit theksoi në këtë takim zhvillimin e zgjedhjeve lokale duke kërkuar një rezultat të administruar me korrektësi. “Presidenti Topi bëri një përshkrim të zhvillimeve më të fundit në Shqipëri dhe të arritjeve në drejtim të konsolidimit të institucioneve demokratike e të pavarësisë së tyre, si dhe të shtetit të së drejtës, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së suksesshme të zgjedhjeve të ardhshme vendore të 8 majit 2011, të cilat duhet të gëzojnë pjesëmarrje masive, të jenë të drejta e të ndershme dhe rezultatet e tyre të administrohen me korrektesë”, thuhet në njoftimin zyrtar. Kryetari i shtetit shqiptar vuri në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen. “Presidenti Topi theksoi rolin e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës, sidomos duke pasur parasysh trevjetorin e tragjedisë së Gërdecit dhe zvarritjen e papranueshme të procesit gjyqësor të saj, në mënyrë që qytetarëve shqiptarë t’u rikthehet plotësisht besimi te drejtësia”, thuhet në njoftim.











