Presidenti Bamir Topi u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë masivisht në procesin e votimit më 8 maj.Një ditë para heshtjes elektorale, kreu i shtetit u është drejtuar zgjedhësve me një mesazh, ku në qendër të tij është pikërisht apeli për të shkuar të dielën në kutitë e votimit. “Ju dhe vetëm ju keni në dorë forcën morale e ligjore për ta shndërruar 8 majin në ditë suksesi për demokracinë në Shqipëri. Ato janë zgjedhjet tuaja, bëhen për ju, kërkojnë fjalën tuaj dhe meritojnë respektin tuaj maksimal. Ftesa dhe dëshira ime është që ju, vëllezër e motra, të merrni pjesë masivisht në zgjedhje; që asnjë pasiguri momenti apo ndjenjë zhgënjimi të mos ju pengojë për t’i kushtuar vetes, familjes dhe vendit vetëm disa minuta votimi; që në asnjë rast të mos lejoni që të tjerët të vendosin për ju, por ju vetë të jeni aty të qetë e të sigurt se po votoni të lirë, se vota e juaj do të respektohet, se zëri juaj do të dëgjohet dhe se me votën tuaj e ardhmja do të jetë më e mirë për të gjithë”, u shpreh Topi në mesazhin e tij nga Presidenca.Kreu i shtetit theksoi në të njëjtën kohë se 8 maji meriton të jetë një ditë normaliteti demokratik. Sipas tij, “8 maji meriton të jetë një ditë reflektimi e korrektimi për të gjitha gabimet e kaluara zgjedhore, një ditë që mbyll një kapitull tranzicioni dhe dëshmon se shoqëria shqiptare i ka pranuar dhe bërë të vetat vlerat e larta demokratike të familjes europiane”. Presidenti përmendi gjatë mesazhit drejtuar qytetarëve rastet e dhunës të shfaqura në ditët e fushatës elektorale, për të cilat tha se nuk duhet të kishin ndodhur. Sipas tij, pavarësisht se organizimi i zgjedhjeve varet nga vullneti i partive, qoftë edhe detajet më të vogla teknike, nuk mund të zëvendësojnë rolin përcaktues që ka vota e qytetarëve më 8 maj. Presidenti shtoi më tej se në këto zgjedhje të gjithë janë në provë. “8 maji nuk do të hyjë në kujtesën tonë politike për nga cilësia e programeve
politike apo emrat e fituesve, por për nga vlerësimi që lidhet me standardet dhe produktin e tyre demokratik. Kur vendi është në provë, të gjithë ne, zyrtarët drejtues, institucionet dhe aktorët politikë e publikë, jemi në provë”. Sipas tij, “zgjedhjet e 8 majit janë momente përgjegjësie për të gjitha institucionet, e parashikuar me ligj në përgatitjen, mbarëvajtjen dhe administrimin e tyre. Bashkë me ju, të nderuar qytetarë, pres që dita e votimit të kalojë në atmosferë të qetë, që administrimi i votës të jetë korrekt dhe në kohë, që KQZ, komisionet e niveleve të dyta dhe grupet e numërimit të jenë zbatues të paanshëm të ligjit, që vëzhguesit vendorë e të huaj të ushtrojnë pa asnjë vështirësi funksionin e tyre”. Topi shtoi më tej se 8 maji duhet të jetë dita e qytetarëve, dhe jo e militantëve partiakë. Ai u bëri
thirrje institucioneve të rendit, Prokurorisë, gjykatave dhe Kolegjit Zgjedhor të jenë profesionale në përmbushjen e
misionit të tyre. “Në veçanti, detyra e Kolegjit Zgjedhor është të dëshmojë përgjegjshmëri maksimale, paanshmëri, korrektesë dhe shpejtësi për vlerësimin e çdo situate ligjore që do t’i paraqitet, duke ruajtur të pastra interesat e dhënies së drejtësisë, të painfluencuara nga përpjekjet e politikës apo interesa të tjera”, u shpreh kreu i shtetit.
AMBASADORËT SI VËZHGUES
Ambasadorët kryesorë të akredituar në vendin tonë do të jenë në rolin e vëzhguesit në terren në zgjedhjet e 8 majit. Tri ditë më parë, KQZ-ja miratoi listën e vëzhguesve të OSBE-së, ku i pari në listë ishte ambasadori Eugen Volfarth. Gjatë ditës së djeshme KQZ-ja miratoi listën e vëzhguesve të BEsë, ku në krye të emrave ishte ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Etore Sekui. Në të njëjtën kohë u miratua edhe emri i ambasadores franceze, Maryse Daviet.
BUZEK: ZGJEDHJET, NË DORËN TUAJ
Presidenti i PE-së, Jerzy Buzek, tha dje se është në dorën e shqiptarëve progresi në zgjedhje. “Unë ju uroj që të bëni
progres të madh duke zgjidhur problemet që ka demokracia. Sigurisht, kjo nuk është e lehtë dhe të mos mendohet se
me vendosjen e demokracisë çdo gjë zgjidhet vetë. Kjo nuk ndodh askund. Edhe në vendet e Bashkimit Europian duhen
përmirësuar vazhdimisht rregullat e demokracisë”, tha Buzek.
Kartat, zyrat të hapura edhe të dielën
Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, tha dje se zyrat e aplikimit për kartat e identitetit do të jenë të hapura
edhe të dielën, me qëllim tërheqjen nga qytetarët të dokumentit që mundëson pjesëmarrjen në votime. “Me qëllim ardhjen në ndihmë të zgjedhësve për të krijuar mundësinë e plotë për të votuar, duke arritur standarde të larta zgjedhore, si dhe nisur nga koha e mbetur në dispozicion deri më datën 8 maj 2011, u është kërkuar punonjësve
të Gjendjes Civile dhe operatorëve të aplikimit për letërnjoftime elektronike, angazhim maksimal”, tha Poni gjatë një konference për shtyp. Sipas të dhënave të fundit, deri tani kanë aplikuar për të marrë kartat e identitet 2.7 milionë
qytetarë, nga të cilët 2.5 milionë i kanë tërhequr ato. Përsa u përket pasaportave biometrike, kanë aplikuar 1.7 milionë dhe i kanë tërhequr 1.6 milionë qytetarë.











