Presidenti Bamir Topi ka dhene sinjalin e pare pozitiv per hapjen e konsullates shqiptare në Manastir.
Para disa ditëve udhëheqsia e shoqatës “Kongresi i Bashkimit” nga Manastiri pranoi përgjigjen nga Presidenca e shtetit shqiptar dhe presidenti Bamir Topi, e cila përuron dhe mbështet këtë iniciativë për hapjen e Konsullatës së nderit në këtë qytet.
“Me shumë vëmendje dhe interes lexuam përmbajtjen e letrës suaj drejtuar presidentit të Republikës Zotit Bamir Topi, me kërkesën për hapjen e Konsullatës së Shqipërisë në qytetin e Manastirit. Duke ju falënderuar për iniciativën, njëkohësisht duke ju uruar punë të mbarë në misionin tuaj sa fisnik aq edhe atdhetarë, ju informojmë se për çështjen e ngritur është sensibilizuar Institucioni i Ministrisë së Punëve të Jashtme, i cili ka iniciativën ligjore për realizimin e këtij misioni”, thuhet ne përgjigjen e Kabinetit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Shoqata Kulturore – Atdhetare “Kongresi i Bashkimit” në Manastir në bashkëveprim me INA disa muaj më parë kërkoi nga shteti shqiptar që të hap përfaqësinë diplomatike në nivel të konsullatës në këtë qytet. Fërgim Demiri, një nga drejtuesit e kësaj shoqate deklaroi për INA se shteti shqiptar duhet të rikthejë konsullatën që ka ekzistuar dekada më parë në Manastir. “Kjo konsullatë duhet të jetë sepse Manastiri është një nga kryeqendrat e historisë dhe kulturës shqiptare, por kjo do të jetë edhe një mbështetje për neve shqiptarët në këto vendbanime”, deklaroi Demiri.
Sipas tij, edhe kryetari i komunës së Manastirit, Vladimir Talevski ka shprehur vullnetin për hapjen e konsullatës dhe gatishmërinë për të siguruar hapësira pune, duke aluduar siç thuhet tek një pjesë e ndërtesës së Kongresit të Alfabetit. Shqipëria para shumë kohës ka pasur konsullatën e saj në Manastir, nga periudha e Mbretërisë së Zogut, por edhe pas luftës së dytë botërore dhe gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë, por me disa ndërprerje.
Aktualisht në Manastir janë të pranishme mbi 12 konsullata, pothuajse nga të gjitha shtetet e Ballkanit, por edhe ato evroperëndimore. (F.Demiri/INA)
© Panorama.al











