Topi pret delegacionin e PE: Rezultat nga dialogu

Dec 8, 2011 | 14:10

TIRANË- Presidenti i vendit, Bamir Topi priti sot delegacionin e deputetëve të Parlamentit Evropian, të kryesuar nga Kryetari i Delegacionit për Marrëdhëniet me Evropën Juglindore, Eduard Kukan, që ndodhen në Tiranë në kuadër të takimit të 4 të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri.

“Ne e konsiderojmë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si një proces të bazuar tërësisht në performancë dhe meritë, i cili nëpërmjet realizimit të reformave është në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë”, – u shpreh Presidenti Topi gjatë bisedës.

Topi vlerësoi se “pas dy vjetësh ngërçi politik, perspektiva evropiane ka treguar se është një mjet bashkimi dhe tejet i rëndësishëm për ndërtimin e konsensusit ndërmjet klasës politike në vend”. Presidenti i Republikës vlerësoi se ngritja e Komisionit “ad hoc” për Reformën Zgjedhore dhe Grupit të Punës për rishikimin e rregullave të Kuvendit, si dhe votimi në Komisionet parlamentare të disa kodeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, shënojnë zhvillime pozitive që i hapin rrugën zbatimit të 12 përparësive të Komisionit Evropian”, – ndërsa theksoi faktin se Raporti i Progresit i Komisionit Evropian është kthyer në një program pune për institucionet shqiptare, për të avancuar më tej agjendën evropiane.

Ndërkohë anëtarët e delegacionit ndanë të njëjtin mendim me Kryetarin e Shtetit sa i përket bashkëpunimit politik mes palëve, për të cilin thanë se shpresojnë që të japë rezultatet e duhura në funksion të aspiratave madhore të qytetarëve shqiptarë dhe Shqipërisë.

© Panorama.al

Te lidhura