TIRANE- Nëse klasa politike shqiptare e tranzicionit do të ishte udhëhequr në veprimet e saj nga të njëjtat parime idealiste dhe qytetare të Lëvizjes Studentore të vitit ‘90-të, demokracia në Shqipëri do të kishte qënë edhe më e fortë dhe integrimi euroatlantik edhe më i shpejtë dhe i plotë. Kështu shprehet Presidenti i Republikës, Bamir Topi në një mesazh në nderim të 8 dhjetorit, “Ditës Kombëtare të Rinisë”
“Një nderimi i veçantë shkon për Azem Hajdarin, studentin udhëheqës të Lëvizjes Studentore, për Arben Brocin dhe emra të tjerë përfaqësues të kësaj lëvizjeje, që u ndanë nga jeta në përpjekje për të mbrojtur dhe promovuar parimet politike për të cilat u ngritën në Dhjetor ’90-të”- thuhet në mesazhin e Topit.
Topi u ka bërë thirrje të rinjve që të punojmë për të pasur një rol më aktiv shoqëror, me qëllim që zëri i tyre të dëgjohet në çdo aspekt të vendimmarrjes.
“Brezi ynë i ri është pasuria më e madhe që ne kemi, ndaj edhe shteti e shoqëria do të duhet që problematikat dhe interesat e tyre të shumta t’i kenë përparësi si investimi më i sigurtë për të sotmen dhe të ardhmen”- shprehet kreu i shtetit.
© Panorama.al











