Topi: Partia e re pas Presidencës, opsion i hapur

Dec 7, 2011 | 13:09

“Tentativa për të qenë i nënshtruar thjesht për karrierë duke humbur lirinë, vetëvrasëse”.

Presidenti Bamir Topi e lë sërish të hapur mundësinë për të krijuar një parti politike në përfundim të mandatit të tij. Në një intervistë për emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, të gazetarit Ilir Babaramo në TV NEWS 24, kreu i shtetit foli edhe për marrëdhëniet me Berishën, dekretimin e Bujar Leskajt për postin e kreut të KLSH-së, si dhe shkurtimin e fondeve në institucionet e pavarura.
Keni kryer konsulta para se ta çoni emrin e zotit Leskaj për kreun e KLSH?
Konsulta me dokumentin themeltar të shtetit është ajo konsultë që prevalon mbi të gjitha konsultat e tjera. Një proces për një çështje të rëndësishme është një proces që kërkon kohën e vet, sepse bëhet fjalë për drejtues institucionesh të rëndësishme. Këtu së pari konsultohet përputhshmëria e cilësive të kandidatit me kriteret ligjore dhe kushtetuese. Së dyti, kur ka disa kandidatë, shikohet profili i kandidatit dhe ai profil që përputhet me vullnetin e Presidentit për ta dekretuar një kandidaturë të caktuar. Të gjitha këto janë realizuar në mënyrë shumë korrekte.
Mendoni se edhe mund të rrëzohet kandidatura e Leskajt, nëse keni parasysh që PD-ja kur rrëzoi Sali Shehun tha se nuk plotësonte kriteret se ishte një kandidaturë politike. Të njëjtën gjë tha edhe PS-ja…
Opsionet teorike bien. Parlamenti ose aprovon, ose rrëzon, ka një probabilitet 50 me 50. Unë nuk kam paragjykuar një proces që nuk ka të bëjë më me mua, ka të bëjë me Parlamentin.
Mbi ç’kritere u nisët për zotin Leskaj? Opozita ka thënë që të jetë një kandidat nga bota akademike dhe jo një figurë me të shkuar politike…
Unë sot në Shqipëri e kam shumë të vështirë për të gjetur njerëz që janë të papërzier me politikën. Dikush është ekspozuar, militon në partitë politike, dikush tjetër shërben me dëshirë në një krah ose në një tjetër, mund të ketë edhe njerëz që janë me integritet të tillë që të mos ngatërrohen, të mbajnë profilin e tyre akademik. Kjo e ngushton shumë hapësirën e zgjedhjes sepse ekziston edhe një rrezik tjetër, ata që nuk kanë njohje të karakterit politik e kanë disi të vështirë të kalojnë filtrat e tjerë të politikës. Leskaj, përveç profilit të tij të caktuar politik që ka pasur, është një figurë e rretheve akademike. Pak kush e di që zoti Leskaj është me 3 fakultete, ka një fakultet inxhinierie, një fakultet ekonomie dhe një fakultet juridik. Janë njerëz që janë modestë dhe nuk i bëjnë promocion vetes së tyre, por të tjerët duhet ta dinë. Është njeri që ka kontribute. Kontributet e tij nuk kanë qenë konspirative, kanë qenë kontribute të hapura. Ne duam që në krye të institucioneve të shkojnë njerëz që kanë kontribute dhe të mos ketë asnjë lloj paragjykimi të karakterit politik. Figura e zotit Leskaj është një figurë e cila jep shansin që ti largohet çdolloj paragjykimi të karakterit politik. Tek ai duhet shfrytëzuar pikërisht karakteri, profili i tij akademik. Unë mendoj që është një nga ato figura që nuk ka arsye të kontestohet. Vullneti politik është një çështje tjetër, unë nuk dua të futem aty.
Kur propozuat zotin Leskaj pas zotit Shehu a patët parasysh faktin që të dy bëjnë pjesë në të ashtuquajturin ‘grupi juaj në PD’ dhe që janë lënë jashtë listave të kandidatëve për deputetë?
Asnjëherë në karrierën time nuk kam punuar me grupe. Unë kam tentuar të krijoj një frymë respekti reciprok dhe pastaj çdo njeri është i lirë të orientohet me vizionin bazë që ka një formacion politik, të ruajë një lloj konformizmi, apo të jetë ‘kontestues’, siç keni ju dëshirë t’i quani rebelë. Unë nuk kam punuar me grupazhe. Nëse etiketohet si pjesë e një grupi të caktuar, kjo nuk ka dalë nga unë. Unë asnjëherë nuk kam qenë kryetar partie. Kam qenë kryetar i grupit parlamentar, por kam qenë nënkryetar i partisë. Asnjëherë nuk kam pasur një fuqi ekskluzive për të krijuar grupazhe. Mendimi i shprehur, kohezioni me mendime të caktuara, mund të ketë krijuar iluzionin sikurse është krijuar që këtu ka një frymë grupazhi.
Sali Shehu ka bërë një deklaratë në seancën e dëgjimit kur tha se ‘ju po më rrëzoni si kandidaturë si mik të Presidentit dhe unë e kam për nder të jem mik i tij’…
Po natyrisht, sikurse unë e kam për nder të kem mik Sali Shehun. Gjërat në këtë botë janë reciproke. Nuk dua të komentoj atë që ka thënë Sali Shehu sepse është një e drejtë e tij. Gjërat e thëna drejtpërdrejtë janë më të mira se gjërat e realizuara nën rrogoz. Çdo njeri kur media të monitoron nga mëngjesi në mëngjes, në një vend të vogël, është mirë që ato të thuhen hapur, të thuhen pa paragjykime, pa deformime. Në rast se ka vullnet, ka vullnet, në rast se nuk ka, nuk ka.
Është ende e paqartë për opinionin si u prishët me Berishën dhe Topallin.
Pavarësisht që unë bëj analizat e mia, edhe unë sot e kësaj dite nuk e kam marrë vesh motivin e kësaj klime të krijuar. Dikush duhet ta thotë. Përderisa nuk del nga goja ime asgjë, s’keni dëgjuar asgjë, madje gjatë gjithë karrierës sime akademike, profesionale apo politike, sikur të thoni një rast të vetëm që kam fyer dikë… Unë kam bërë një betejë të fortë parlamentare, jo duke fyer të tjerët, por duke folur gjithmonë për fenomenin dhe në vetën e tretë. Nuk kam thënë as ‘unë’, as ‘ti’, por kam thënë ‘ai’, për të mos e lënduar tjetrin, por për të diskutuar për fenomenin, për të dhënë argumente. Debati në Parlament nuk bëhet thjesht mes deputetëve, por debati bëhet për shoqërinë. Vendimmarrja është te numrat. Nëse mendojmë se numrat janë, atëherë s’ka nevojë për debat.
Nëse PD-ja ju propozon për President, do ta pranonit?
Unë di këtë që deri tani ka pasur në mënyrë konstante, jo vetëm nga kolegë, por një klimë e përgjithshme, madje nuk kisha as dy muaj kur isha ulur në atë karrige, kur janë bërë llogaritë se kur do të iki. Kjo më sjell në një pozicion jo komod për të dhënë një përgjigje që nuk është në funksion të kohës. Disa gjëra që janë konsumuar në intervista apo në debate publike, unë mendoj të mos i rikthehemi, sepse vetë koha i ka konsumuar. Gjithmonë duhet të ketë njëlloj respekti, jo thjesht për individin, respekti vjen për institucionin, për pozicionin. Duke respektuar pozicionin, kemi respektuar institucionin përfaqësues sipas vijës kushtetuese. Raportet personale njeriu fatmirësisht sot i zgjedh vetë. Tentativa për të qenë i nënshtruar në një formacion të caktuar, thjesht për të bërë karrierë duke humbur lirinë, është një tentativë vetëvrasëse. Njeriu duhet të jetë i lirë për të ushtruar të drejtën e vet për të jetuar i lirë. Në rast se do fusim frymën e dinjitetit në shoqëri dhe partitë politike, do ketë më shumë zëra të hapur, do ketë më shumë komunikim e debat.
Në daljet e fundit publike latë të kuptohet se mund të krijoni një parti pasi të përfundoni mandatin…
Unë kam thënë që çdo opsion është i hapur.
Latë të kuptohet që do krijoni parti…
Variacionet për atë që unë lashë të kuptohet janë të ndryshme. Nuk është vetëm një. Por ajo përfshin edhe atë që ju keni kuptuar. Në atë që ju keni kuptuar, ose doni ta vendosim në linjën e parë, edhe ajo është e nënkuptueshme.
Është një opsion në tavolinë?
Në tavolinë nuk është, sepse në tavolinë nuk ka opsione për të ardhmen politike, por gjëra që lidhen me institucionin e Presidentit. Kam qenë shumë rigoroz në ushtrimin e detyrës sime si President. Në një tavolinë jashtë institucionit edhe mund të jetë në të ardhmen, sot jo. Opsioni që ju përmendët, mbetet gjithmonë i hapur si çdo opsion teorik.
Kjo që ju përsëritët, ndoshta është shkaku që ka ndikuar te Berisha dhe Topalli e të tjerët që të frenohen duke pasur parasysh se mund të bëni precedentin e Metës?
Unë nuk paragjykoj apo nuk fantazoj se ç’mendojnë të tjerët. Unë kam qenë i hapur, vazhdoj të jem i hapur, vazhdoj të ushtroj detyrimet e mia dhe pastaj të gjitha opsionet janë të hapura, sipas aftësive, sipas mundësive, njeriu e provon veten kur shikon nëse ka njëlloj atraktiviteti te të tjerët. Asgjë nuk është e vendosur, por asgjë nuk është e mbyllur.
Nga se kushtëzohet?
Së pari nga një vullnet personal. Nuk ka asgjë që ndërtohet, nëse nuk ekziston një vullnet. Së dyti kushtëzohet edhe nga një klimë e caktuar, ku njeriu mendon se ku mund të shërbejë, sepse bën vaki se nuk je i dobishëm për të tjerët. Duhet të jesh perceptues i realitetit. Ende jam për të mos e trajtuar këtë temë, sepse dua që deri në minutën e fundit kur të jem president, të ushtroj me korrektësi të gjitha detyrimet e Presidentit që është i të gjithëve, pavarësisht nëse pranohet nga dikush apo nuk pranohet. Kjo është një zyrë përfaqësuese, nuk është një institucion partiak.

ILIR BABARAMO

© Panorama.al

Te lidhura