Presidenti i Republikës, Bamir Topi, takoi dje ambasadorët Arvizu, Sekui dhe Volfarth në lidhje me situatën postzgjedhore në Shqipëri, duke theksuar se procesi zgjedhor ende nuk ka mbaruar.Në një deklaratë zyrtare të bërë pas këtij takimi me ambasadorët, presidenti Topi deklaroi se Kolegji Zgjedhor ka mbështetjen e tij për të punuar i pandikuar. “Procesi zgjedhor ende nuk ka mbaruar, prandaj palët politike të përfshira duhet të vetëpërmbahen nga shpallja e parakohshme e rezultatit. Kolegji Zgjedhor gëzon mbështetjen e plotë institucionale të institucionit të Presidentit të Republikës për një proces të pavarur, transparent, me integritet të lartë moral e profesional, të drejtë dhe të lirë nga ndikimet dhe ndërhyrjet politike. Është koha që të funksionojë ligji dhe shteti i së drejtës dhe të mbizotërojnë vetëm vlerat e kulluara dhe standardet e vërteta të drejtësisë dhe të dëgjohet vetëm zëri i institucioneve kompetente ligjore kushtetuese e demokratike, sepse kjo do t’i shërbente më së miri interesave madhore dhe stabilitetit afatgjatë të Shqipërisë dhe do të përmbushte aspiratat integruese të shumëpritura e të merituara të popullit shqiptar”, thuhet në njoftimin zyrtar. Në të njëjtën deklaratë zyrtare të dhënë nga zëdhënësja e Presidentit, thuhet se edhe ambasadorët Arvizu, Sekui dhe Volfarth u shprehën njëzëri se ndërsa procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar, respektimi i kornizës ligjore është një domosdoshmëri tashmë, në kushtet e ankimit të rezultatit nga opozita në Kolegjin Zgjedhor. Gjithashtu, të tre ambasadorët shprehën mbështetjen e fuqishme e të palëkundur për presidentin Topi dhe për apelet e tij për respektimin rigoroz të shtetit të së drejtës e të ligjit, çka do t’i kontribuonte qëndrueshmërisë dhe rikthimit të normalitetit demokratik në vend. “Biseda në këtë takim u përqendrua në situatën paszgjedhore në vend, duke vënë theksin në domosdoshmërinë e përmbylljes së procesit të zgjedhjeve të datës 8 maj sipas ligjeve në fuqi dhe pritjes me durim e qetësi të gjykimit përfundimtar të paanshëm, profesional, të drejtë, ligjor e të pavarur nga ana e institucioneve që lidhen me këtë proces. Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pasi ndau shqetësimin e njëjtë lidhur me situatën paszgjedhore dhe efektet e saj, duke pasur parasysh edhe deklaratën e përbashkët të baroneshës Eshton dhe komisionerit Fyle, vlerësoi kontributin e vyer dhe rolin e jashtëzakonshëm të ambasadorëve Arvizu, Sekui dhe Volfarth për kapërcimin e kësaj sfide”, thuhet më tej në njoftimin zyrtar.
Takimi me ambasadorët
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje takimin me ambasadorët Arvizu, Sekui dhe Volfarth, në lidhje me situatën paszgjedhore në Shqipëri, me kërkesën e këtyre të fundit. Sipas njoftimit zyrtar, presidenti Topi dhe ambasadorët Arvizu, Sekui dhe Volfarth theksojnë nevojën e përfundimit të procesit zgjedhor në mënyrë të drejtë, transparente dhe sipas kuadrit ligjor ekzistues.
ERALD KAPRI
© Panorama.al











