
Presidenti Bamir Topi, i pranishëm dje në Samitin e UNESCO-s i zhvilluar në Mostar të Bosnje-Hercegovinës, deklaroi para krerëve të shteteve të rajonit se pjesë trye-zës me temë “Trash-ëgimia fetare dhe kulturore-historike” duhet të jetë edhe shteti i Kosovës. Gjatë fjalës së tij, kreu i shtetit shqiptar theksoi se restaurimi i trashëgimisë kulturore është një detyrë që duhet të angazhojë të gjitha vendet e rajonit, duke përshirë dhe Kosovën. “Ne e shikojmë me shumë rëndësi restaurimin e veprave që janë pjesë e trashëgimisë botërore dhe në Kosovë, por ende është e pakuptueshme dhe nuk shkon pikërisht me mendësinë që duhet të shoqërojë politikën e kohëve moderne të vendeve të Ballkanit që Kosova ende nuk është e pranishme në këto tryeza. Kështu që unë do të jepja opinionin tim që në të ardhmen politika e komunikimit dhe në funksion të vlerësimit të trashëgimisë kulturore duhet që patjetër të ketë në gjirin e vet edhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës”, deklaroi Presidenti Topi.
Takimet
Kreu i shtetit, Bamir Topi, ka zhvilluar dje takime me homologun e tij të Malit të Zi, Filip Vujanoviç dhe të Maqedonisë, Gjeorgje Ivanov. Presidenti Topi, gjatë takimit me homologun e Maqedonisë theksoi se “Shqipëria dhe Maqedonia do të vazhdojnë të angazhohen maksimalisht për arritjen e një niveli të lartë marrëdhëniesh, jo vetëm të fqinjësisë së mirë, por edhe të integrimit europian”. Në këtë aspekt, kreu i shtetit shqiptar theksoi se “marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Maqedoninë janë e do të mbeten në vazhdimësi një përparësi e patjetërsueshme e politikës së jashtme të Shqipërisë, duke mirëpritur anëtarësimin sa më të shpejtë të Maqedonisë në strukturat euro-atlantike në funksion të forcimit të sigurisë dhe stabilitetit në rajon”. Gjithashtu, Presidenti Topi dhe homologu malazez ndanë të njëjtat mendime lidhur me nxitjen e nismave të përbashkëta, kryesisht ekonomike, të cilat do t’i hapin rrugë zhvillimit më të madh të vendeve tona, investimeve të ndërsjella, projekteve infrastrukturore, kulturore, artistike, atyre të turizmit e të tregtisë kufitare, etj. Topi dhe Presidenti Vujanoviç theksuan se bashkëveprimi dhe koordinimi midis dy vendeve në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe të integrimit europian përbën një nga kushtet e BE-së dhe i shërben objektivit të përbashkët të anëtarësimit në familjen e madhe europiane.
Topi takon drejtoreshën e UNESKO
Bamir Topi zhvilloi dje një takim pune me drejtoreshën e Përgjithshme të UNESCO-s, Irina Bokova, në kuadër të Samitit të 100-të rajonal të krerëve të shteteve të Europës Juglindore, që po mbahet në Bosnje-Hercegovinë. Gjatë takimit, Presidenti Topi shprehu bindjen për përkushtimin e duhur të autoriteteve shqiptare, në mënyrë që procesi i restaurimit të objekteve të trashëgimisë kulturore të vijojë me sukses, duke vlerësuar në këtë drejtim edhe rolin e kontributin institucional e personal të drejtoreshës së Përgjithshme të UNESCO-s, Bokova.
Harmonia fetare
Kreu i shtetit, Bamir Topi, gjatë fjalës në Samitin e UNESCO-s, u ndal në mënyrë të veçantë në specifikën e përbërjes fetare të Shqipërisë prej pesë komunitetesh fetare “që jetojnë në harmoni të plotë dhe shekullore me njëri-tjetrin”. Kreu i shtetit shqiptar parashtroi në diskutimin e tij fenomenin e ndeshur shpesh në ditët e sotme, ku “ekstremizmi fetar tenton të imponojë sjellje e vendime politike, apo që politika të caktuara e përdorin atë ai mjet për qëllime politike të ditës”, për të cilin shprehu mendimin se “është përgjegjësia jonë si vendimmarrës politikë të rajonit të Europës Juglindore të refuzojmë çdo tentativë e sjellje të tillë negative”.
FATION BINJAKU
© Panorama.al











