Në ditën e parë të vizitës në Doha për të marrë pjesë në punimet e Forumit të 4-të të Aleancës së Civilizimeve të Kombeve të Bashkuara, Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi dje një takim të ngrohtë e të përzemërt me përfaqësues të bashkësisë shqiptare në Katar. Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Shqipërisë në Katar, Ridi Kurtezi.
Gjatë takimit me bashkatdhetarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, që të gjithë intelektualë dhe ekspertë të shquar në fusha të ndryshme, Presidenti Topi u njoh me veprimtarinë e tyre në Katar ‘’duke vlerësuar faktin që vetë prania e shqiptarëve të profesioneve të kualifikuara dhe puna e tyre e cilësore shërbejnë për të konsoliduar urat e miqësisë dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve si dhe për rritjen e imazhit të shqiptarëve anembanë botës’’.
Presidenti Topi shprehu besimin që kontributi i bashkëatdhetarëve tanë të mirë integruar në këtë vend që po modernizohet me shpejtësi marramendëse, do të jetë i dukshëm dhe i prekshëm edhe për të ardhmen e Shqipërisë, duke qenë se ata kanë mundësinë të sjellin përvojën e marrë në Katar duke kontribuar kështu në përparimin e mëtejshëm të vendit tonë në fusha të tilla si mjekësia, sigurimet shoqërore, industria e kompanive ajrore, etj.











