KATAR- Presidenti i vendit, Bamir Topi gjatë fjalës së mbajtur në Samitin e katërt Botëror të Aleancës së Qytetërimeve është shprehur krenar për historinë e kulturën e lashtë të Shqipërisë, si dhe për traditën shekullore të harmonisë dhe mirëkuptimit të plotë ndërmjet katër feve kryesore të vendit tonë.
Topi ka theksuar se këto monumente shpirtërore të ekuilibrit tonë kombëtar nuk janë vënë asnjëherë në dyshim dhe dëshmojnë se një bashkëjetesë e denjë kulturore dhe ndërfetare mund të ekzistojë vetëm mbi bazën e respektit për diversitetin.
“Ne jemi një popull i cili ka ndërtuar historinë e vet nëpërmjet një rrugëtimi të gjatë përvetësimi besimesh apo kulturash të ndryshme, që prej paganizmit e deri në ditët tona, rrugëtim që e pasuroi brez pas brezi identitetin shqiptar e që bëri të mundur përjetësimin e tij në fjalët e vyera të rilindësit shqiptar Vaso Pasha “Feja e shqiptarit është shqiptaria”- tha Topi.
Ai ka vlerësuar Aleancën e Qytetërimeve si një realitet të prekshëm për shqiptarët. Sipas tij, parimet e kësaj nisme janë pjesë e natyrshme e trashëgimisë së traditave shqiptare, të cilat mbështeten në një bashkëjetesë afat-gjatë dhe të vyer ndërmjet feve kryesore ekzistuese, përgjatë historisë së lashtë dhe moderne.
:Aktualisht, Shqipëria ka ngritur gjithë infrastrukturën e duhur për vënien në zbatim të qëllimeve të Aleancës. Ajo ka miratuar Strategjinë e Dialogut Ndërkulturor, Planin dyvjeçar të Veprimit, si dhe ka ngritur një Komitet ndër-dikasterial për ecurinë e këtyre dokumenteve themelorë”- theksoi ai.
Topi ka përmendur një sërë strategjish që synojnë rritjen e bashkëpunimit dhe zhvillimin e projekteve në fushat e arsimit, emigracionit, medias, rinisë dhe një pjesëmarrje sa më të gjerë të gruas në jetën politiko-shoqërore të vendit.
© Panorama.al











