Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka deklaruar dje nga qyteti i Pogradecit se në detyrën e tij ka respektuar gjithmonë Kushtetutën dhe për këta arsye kërkesa e Kryeministrit Berisha për të dhënë dorëheqje nuk qëndron. “Presidenti që nga momenti kur ka filluar detyrën e deri në përfundim do të jetë në përputhje të plotë me të gjitha detyrimet kushtetuese”, pohoi ai. Kreu i shtetit ka replikuar në distancë me Kryeministrin Berisha, i cili një ditë më parë mohoi në mënyrë kategorike rikandidimin e Topit për një mandat të dytë në krye të vendit. Madje, shefi i qeverisë shkoi me tej teksa tha se të gjitha figurat e Partisë Demokratike do të jenë kandidatë potencialë, por duke përjashtuar në çdo rast ish-numrin dy të PD-së, Bamir Topin. Duke e krahasuar politikën me një lojë futbolli për Presidentin, roli i tij në asnjë rast nuk ka qenë i dytësorë dhe nuk ngurron ta quajë veten si “mesfushor” i politikës. Kreu i shtetit ka qenë pjesëmarrës në festën e përvitshme të hapjes së buteve të verës, ku u është kundërpërgjigjur deklaratave të bëra nga shefi i qeverisë, Sali Berisha, gjatë intervistës në emisionin “Opinion”. “Ashtu sikundër ndodh në futboll, edhe unë në politikë kam qenë dhe jam lojtar i mesfushës”, është shprehur Presidenti Topi. “Gjithmonë trajneri e mëson ekipin duke i thënë të hapë lojën dhe të mos e ngushtojë. Kështu ju them dhe unë ju shumë miqësisht: Hapeni lojën. Mos qëndroni në zona të ngushta. Fakti që jeta është shumë e gjerë, ka shumë dimensione, nuk ka vetëm politikë. Unë do të thosha që gjëja më e mirë që mund të bëni ju gazetarët sot është t’i bëni jehonë dhe promocion kësaj feste, të jeni afër qytetarëve, sepse promocioni i një feste është dhe promocion për turizmin”, deklaroi ai. Ish-numri dy i Partisë Demokratike ka refuzuar të japë përgjigje lidhur me mungesën e tij në 21-vjetorin e themelimit të partisë. “Unë mendoj që sot është dita që të mos bëjmë komente të natyrës politike”, pohoi Topi, i cili një vit më parë ishte përkrah Kryeministrit dhe kryeparlamentares Topalli në festën e PD-së. Në vijim, Presidenti Topi eci përgjatë shëtitores “Fan Noli” të Pogradecit, ku u takua nga afër dhe shkëmbeu përshëndetje me ekspozuesit e verërave dhe prodhimeve të ndryshme, me banorët e shumtë dhe vizitorët e qytetit.











