Topi: Fund bojkotit, konsensus për reformat

Sep 5, 2011 | 10:06
Presidenti Topi

Presidenti i Republikës përmes një mesazhi televiziv u kërkoi deputetëve të Parlamentit vendosjen e një klime të re politike.Kreu i shtetit kërkoi t’i jepet fund bojkotit, ndërsa nga maxhoranca respektim të opozitës. “Dua t’i drejtohem drejtpërdrejt ndër-gjegjes së çdo deputeti në respekt të interesit publik qytetar dhe për të rifituar besimin e lëkundur të qytetarëve tek politika dhe institucionet e saj. Parlamenti, mjedisi ku merr jetë politika dhe votohen ligjet, së pari presupozon pjesëmarrje si detyrim kushtetues, politik e institucional. Për këto arsye, apeloj partitë parlamentare të heqin dorë përfundimisht nga çdo formë e bojkotit parlamentar me pasoja të rënda për demokracinë, integritetin e Parlamentit, për qytetarët dhe për vendin. Prania aktive në Parlament kërkon klimë pozitive dhe respekt për mendimet e shprehura”, shprehet Topi.
Kreu i shtetit u kërkon deputetëve të Parlamentit shqiptar ta kthejnë atë në vendin ku bëhet politikë dhe jo ku denigrohen palët. “Palët politike kanë përgjegjësi të krijojnë klimën e besimit, të mos aplikojnë praktika denigruese dhe izoluese për pakicën, për të injoruar mendimin ndryshe apo për axhenda politike personale, të mos ta kthejnë në asnjë rast e për asnjë arsye Parlamentin në gjyq politik, të mos përdorin tribunën parlamentare për të denigruar individë e familje, kategori e shtresa të popullsisë”, shprehet Topi. Presidenti shpreh shqetësim për konsensusin e munguar dy vitet e shkuara dhe bën apel për vendosjen e bashkëpunimit për ligjet, që kërkojnë shumicë të cilësuar. “Rreth dy vjet më parë, Parlamenti miratoi ligjin e fundit me votim të cilësuar me konsensus midis maxhorancës dhe opozitës. Në pjesën tjetër të aktivitetit parlamentar nuk kemi pasur më rastin të shohim bashkëpunim dypalësh dhe reforma që burojnë prej tij. Për pasojë, Shqipëria politike, tashmë anëtare në NATO, ka humbur dy vjet në një ngërç politik permanent të lidhur me zgjedhjet e fundit parlamentare; vetë qytetarët dhe vendi kanë humbur dy vjet në përpjekjet e tyre për marrjen e ftesës drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Sot sfida është e qartë: ne kemi përpara 12 kritere politike të BE-së, të gjitha të lidhura me Parlamentin dhe ushtrimin cilësor të funksioneve të tij”, shprehet në mesazhin e tij Presidenti i Republikës. Kreu i shtetit radhit një sërë ligjesh dhe reformash që Parlamenti duhet të miratojë, duke u kërkuar deputetëve të japin konsensus mbipartiak.
Reforma
Presidenti u kujton deputetëve dhe partive politike rëndësinë që ka reforma zgjedhore, duke u shprehur se ajo duhet të zhvillohet në kohën e duhur dhe të arrijë standardet e kërkuara. “Sot kërkohet një reformë serioze, gjithëpërfshirëse, që garanton mundësinë e çdo shtetasi shqiptar kudo që ai ndodhet për të votuar i lirë, që mundëson leximin e çdo vote në raport proporcional me forcën politike konkurruese, që siguron transparencë reale financiare dhe largimin përfundimtar nga administrimi militant partiak. Reforma zgjedhore duhet t’i japë fund tregtisë me votën, spekulimeve militante me vullnetin qytetar, duhet të ndajë qartë rolin e partive dhe të shtetit në fushatë, të rrisë cilësinë e përfaqësimit gjinor dhe shtresor të popullsisë, të zgjerojë lirinë dhe hapësirën qytetare për të votuar individin dhe njëherësh të mundësojë krijimin e institucionit sovran të demokracisë direkte”, shprehet Presidenti Topi në mesazhin e tij.

Sot rinis nga puna Kuvendi

Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare sot në ora 18:00, duke shënuar kështu fillimin e sesionit V të Legjislaturës XVIII. Në mbledhjen e Konferencës së kryetarëve ku u miratua në unanimitet kalendari 3-javor i punimeve të Kuvendit për periudhën 5 shtator-23 shtator, si dhe programi i punës në periudhën 5 shtator-4 tetor, kryetarja Topalli ftoi krerët e grupeve parlamentare të nisin punën për ngritjen e Komisionit për reformën zgjedhore, si dhe theksoi domosdoshmërinë e votimit sa më parë të ligjeve të rëndësishme që kërkojnë 3/5 e votave të Parlamentit. Po sot në mesditë, pritet të mblidhen grupet parlamentare të PD dhe PS, nën drejtimin e krerëve të partive.

Dokle: Maxhoranca të bashkohet me reformën që do propozojmë

Nënkryetari socialist i Kuvendit, Namik Dokle, zbardh strategjinë e PS në jetën parlamentare, ku i kërkon maxhorancës të bëhet  sipas tij pjesë e paketës së plotë të reformës që pritet të propozohet. Sipas Dokles, Partia Socialiste do të votojë ligjet që kërkojnë 84 vota në Parlament, vetëm nëse maxhoranca tregohet e gatshme për të bashkëpunuar në hartimin e një reforme të thellë, pjesë e së cilës është një paketë propozimesh që po hartohet nga vetë selia rozë. “Ne synojmë një reformë thelbësore dhe jo arnime te tipit ballkanik. Nëse maxhoranca bashkohet me këtë reforme, ne japim votën”, u shpreh Dokle për “Vizion Plus”. Institucionet e pavarura dhe ato të drejtësisë do të kenë vëmendje të posaçme të opozitës në këtë paketë. Por, kjo kërkesë kërkon kthim ne komisione të një sërë ligjesh, për të cilat opozita nuk ka dhënë votën për shkak dhe të bojkotit parlamentar.
Kjo ka qenë dhe një kërkesë e përfaqësuesve të PS në konferencën e kryetarëve, ku është këmbëngulur që të diskutohen të gjitha ato ligje që janë kaluar pa prezencën e opozitës. Ndërsa përfaqësuesit e maxhorancës mësohet se kanë rënë dakord për ridiskutim vetëm të atyre ligjeve që nuk kanë shkuar për votim, por që kanë kaluar nga komisionet parlamentare. Por ajo që po ndiqet me interes nga selia rozë, janë ndryshimet për Kodin Zgjedhor. Në këtë pikë, Dokle sqaron se PS pret konsultimet nga KE dhe Komisioni i Venecias për të marrë pjesë më pas në një komision të mundshëm, që do të ngrihet për reformën zgjedhore. “Pas kësaj, ne do te ngremë një grup pune, pastaj do të jemi të gatshëm për të qenë në komision”, sqaron nënkryetari socialist i Kuvendit të Shqipërisë.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura