
“Ka një frymë që vjen tek unë në formën e një dëshire”
Presidenti Bamir Topi deklaroi dje se do të ushtrojë detyrën deri në ditën e fundit të mandatit të tij dhe më pas do t’i përkushtohet politikës. Në një intervistë për emisionin “Tonight” nga gazetarja Ilva Tare në “Ora News”, kreu i shtetit tha se gjithmonë e më shumë rriten mundësitë që ai të kthehet në politikë. Topi foli gjithashtu edhe për ngjarjet e 21 janarit dhe prishjen e marrëdhënieve me Berishën.
A kishit ftesë për 21-vjetorin e PD-së?
Natyrisht që kam pasur, por me sa unë mbaj mend, atë ditë jam kthyer nga një udhëtim relativisht i gjatë. Kam qenë në Katar për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare për civilizimet.
Ju thoni që nuk keni gabuar asnjëherë, që nuk keni ndryshuar (në raport me Ramën dhe Berishën). Ju jeni i pagabueshmi?
Ju mendoni se unë po ta kisha diçka gabim, nuk do e thosha. Unë ua thashë momentin, që ishte shumë i rëndësishëm. Në rast se dikush nga Grupi Parlamentar, te i cili ti ke bërë pjesë dhe e ke drejtuar, vjen dhe hedh ide për ndryshimin e kompetencave të Presidentit, i inspiruar nga vendimmarrje politike jo të hapura, por nëpër zyra, kur dëshiron që ta ndryshosh pozicionin e Presidentit, ta bësh atë inferior ndaj vendimeve politike, ky është momenti. Përderisa ne e trajtuam këtë moment, nuk ka më mëdyshje, sepse pastaj komunikimi qoftë në sensin e përkeqësimit të gjërave vjen duke marrë natyrë progresive. Diku ka mungesë besimi, diku rrëzon kandidatura që normalisht plotësojnë të gjitha kriteret ligjore dhe janë emocionet politike. Këto influencojnë në përkeqësimin e marrëdhënieve.
Pas sulmeve ndaj jush si pjesëtar celulash apo horr bulevardi, a ka ndonjë mundësi që raportet tuaja me Berishën të rregullohen? Në fund të fundit, ai është pajtuar me Nanon…
Unë nuk jam një njeri që kam një mbiemër tjetër, aq më shumë nuk jam njeri që kam më shumë se një mbiemër.
Kush është ai që ka më shumë se një mbiemër?
Unë në komunikim me ju përdor të gjithë artin e perifrazimit të gjërave. Tani gjejeni se cilët janë. E përdora si një mënyrë të shprehuri për të treguar që kam individualitetin tim, kam një memorie jashtëzakonisht të fortë dhe nuk harroj kollaj. Duhet të kuptoni që edhe në një bisedë tek e tek njeriu duhet të jetë shumë i kujdesshëm. Gjuha kocka s’ka, por kocka thyhen. Meqenëse kam qenë një studiues i anatomisë, ka 77 lloje muskujsh që përbëjnë gjuhën. Kjo e ka bërë gjuhën organin më të artikuluar. Gjuha gjithmonë komandohet nga truri dhe, nëse arsyeja nuk është arsye, por del me përcaktime shumë agresive, këto gjëra vlerësohen dhe nuk harrohen.
Pas disa javësh do të kemi 1-vjetorin e 21 janarit. Ju si mendoni, një vit më pas qëndrojnë akuzat e maxhorancës se ishte një grusht shteti ku dhe ju ishit pjesëtar?
Është një absurditet. Flas gjithmonë në atë që më takon mua të them. Fatmirësisht Shqipëria nuk është një vend i izoluar, ku gjithkush mund ta konsumojë një thënie që në këndvështrimin tim është totalisht e papranueshme, për të mos thënë ndonjë emër tjetër. Shqipëria fatmirësisht është vend me partnerë dhe qëndrimin realist rreth kësaj ngjarjeje e kanë dhënë partnerët tanë më të rëndësishëm, që nuk e kanë cilësuar të tillë. Vetëm pak ditë më parë, në vijim të takimeve të shumta që unë kam me përfaqësues ndërkombëtarë, pata takimin me përfaqësues të PE-së dhe në takim të drejtpërdrejtë përfaqësuesit e PE-së falënderuan Presidentin (të gjithë anëtarët e delegacionit, duke filluar nga Kukan) për qëndrimin korrekt të ekuilibruar, neutral, profesional që kam mbajtur në ngjarjet e vështira të vitit 2011.
Marrëveshja e ujërave me Greqinë u rrëzua nga Kushtetuesja. Negociatat kanë rifilluar, cili do të jetë qëndrimi juaj këtë radhë?
Unë s’kam asnjë informacion zyrtar që kanë filluar. Nëse do të kishte kaluar ajo marrëveshje në Parlament, për të ardhur te Presidenti, pa marrë plotfuqinë e Presidentit, ju siguroj në distancë kohore se ai ligj do kthehej mbrapsht. Nëse kanë filluar negociatat pa plotfuqinë e Presidentit dhe nëse vjen gjatë kohës që unë do jem në Presidencë, për shkak të një defekti të rëndë kushtetues dhe procedural, ai ligj do kthehet mbrapsht. Më rezulton se informacionet që dalin jo gjithmonë janë të besueshme.
Pse ka disa vende vakante ambasadorësh?
Është e drejta e Presidentit për të ruajtur një lloj ekuilibri që është me ligj. Ka një raport të caktuar mes trupës diplomatike të karrierës dhe të atyre që katapultohen nga politika. Nëse ky raport fillon e prishet, ai që bëhet garanti i parë për ta ekuilibruar dhe për të mos e lejuar, që trupi diplomatik të dominohet nga katapultimet e politikës, është Presidenti.
Ka zëra se do të krijohet një parti e re e qendrës së djathtë, që do kërkojë votat e atyre të zhgënjyerve nga koalicioni PD-LSI. A do të krijoni ju një parti tuajën?
Unë kam të drejtë të pyes kush e tha. Dua t’i rikthehem momentit të djeshëm (të enjten). Kam qenë i qartë në komunikim me gazetarët. Kur u shpreha që takimi ishte në kuadër të ritualeve të festave të fundvitit, thashë që pas një viti nuk do të jem president. Ishte një deklaratë e hapur, pa asnjë nëntekst, por me bindje të plotë se dikush tjetër do të jetë atje.
Sepse ju nuk keni dëshirë apo nuk keni asnjë shans?
Problemi është më i gjerë sesa një opsion. Unë kam qenë inkurajues i rotacioneve. Në një vend si Shqipëria, kur ende kalojmë nën tranzicion, gjithmonë ka nevojë për qarkullim të elitave. Duke inkurajuar rotacionin, pavarësisht se në perspektivë mund të kishte opsione të ndryshme, hipotetike gjithmonë, e deklarova me një bindje të plotë që në atë pozicion dikush tjetër do të vijë. Kam rastin të them që vetëm në një moment unë mund të veproja ndryshe, në rast se votimi i Presidentit nuk do të ishte në vullnetin e partive politike, por do të ishte në vullnetin e popullit. Për të respektuar atë që unë e kam respektuar gjithmonë, gjykimin e popullit në terren, në rast se do të kishte një mundësi të tillë, unë do ta merrja në konsideratë për t’u futur në një garë të tillë. Por sa kohë që kjo është një çështje që u takon partive politike, le ta bëjnë sipas asaj formule e cila do ta zgjedhë Presidentin me një maxhorancë të thjeshtë, ku unë në asnjë moment nuk e kam parapëlqyer apo vlerësuar si një zgjidhje adekuate për Shqipërinë.
Ndryshimi i Kushtetutës ishte guri i fundit i shpresës suaj?
Nuk është çështje shprese. Problemi është shumë parimor. Unë jam shumë i qartë në ato që them dhe kam tentuar gjithmonë që të jem shumë koherent në deklaratat e dhëna në vite dhe nuk dua t’i ndryshoj një herë në 24 orë, siç ndodh rëndom në politikën shqiptare.
A do të krijoni një parti të re?
Këtu problemi është më se i qartë. Nuk dua që gjatë periudhës që unë jam President të denatyroj rolin e Presidentit. Që do të thotë sa kohë unë do të jem President, do të jem në ushtrim të detyrës dhe të kompetencave të Presidentit. Unë për këtë jam votuar, për këtë jam betuar dhe deri në ditën e fundit të dorëzimit të detyrës, unë do të jem President i shqiptarëve.
Po kur ta mbaroni mandatin pas verës, do t’i bashkoheni një grupimi të ri politik?
Këtu është një çështje tjetër. Unë e kam thënë që opsionet janë të ndryshme, por opsioni më probabël që sa vjen dhe bëhet akoma më probabël, është se unë do të jem në politikë.
A jeni në dijeni të një organizimi të disa të pakënaqurve ndaj PD-së?
Unë e di që ka një frymë. Nuk mund të bëj rolin e njeriut që s’ka veshë të dëgjojë apo sy të shikojë. Kjo është një frymë që vjen tek unë nëpërmjet një dëshire, por unë vetë ndaj pozicionin tim ashtu siç e ndava pak më parë. Deri në korrik 2012, nëse Zoti na jep jetë, shëndet dhe forcë, me vullnetin tim do të jem në zbatim të detyrimeve kushtetuese. Pas asaj dite ka opsione që njeriu në një botë të lirë mund t’i ushtrojë, mbi bazën e të gjitha vullneteve që dalin nga ai.
A mund të jetë Fryma e Re Demokratike emri i partisë së re?
Qenka për t’u mbajtur shënim, gjithmonë për ta vlerësuar në kohën e duhur.
Nëse do të ishit deputet, do ta votonit Nanon si President?
Unë nuk mund të bëj komente nga ky pozicion që jam, për cilëndo kandidaturë. Nëse do të isha në Parlament, do ta komentoja nga ai pozicion. Në Parlament kam qenë njeri i hapur dhe në disa raste kam kundërshtuar qëndrimet e Grupit që drejtoja.
ILVA TARE
© Panorama.al











